Ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka vijoi me shpërndarjen e ndihmave për familjet në nevojë. Sipas saj, deri tani janë ndihmuar 370 mijë familje me ushqime dhe rreth 500 mijë me barna e pajisje mjekësore.
“Operacioni i nisur dy muaj më parë do të vazhdojë për të ndihmuar që të gjitha familjet në nevojë të përballojnë këtë situatë të vështirë. Unë shpresoj që shumë shpejt t’i rikthehemi normalitetit. Deri atëherë, ne do t’i jemi në krah dhe do të mbështesim çdo familje në nevojë. Përmes operacionit humanitar, mbështetur në një skemë të mirëkoordinuar mes shumë institucioneve në dy muaj mbi 370 mijë familje dhe individë janë ndihmuar me ushqime, barna e shërbime të tjera, ndërsa janë shpërndarë nëpër shtëpi rreth 500 mijë pensione në të gjithë vendin. Shpërndarja e pakove ushqimore bëhet në bazë të listave të cilat vijnë nga bashkitë përmes administratorëve socialë, por që kryqëzohen e verifikohen pastaj me shërbimet sociale e institucione të tjera për të bërë një identifikim të mirë të nevojave të tyre dhe asistencës që mund t’ju ofrojmë.”
Pjesë e operacionit humanitar ishin edhe kryebashkiaku i Elbasanit, Gledian Llatja dhe Sekretari i Përgjithshëm i PS, Taulant Balla. Ky i fundit ju ktheu përgjigje të gjithë atyre që kanë dyshime për ndihmat.
“Për ata që përdorin pakot për politikë, bujrum të vijnë t’i shohin këtu, të mos flasin për turp qoftë në Parlament qoftë opozita rrugore, por të vijnë t’i shohin pakot. Shqip i thonë të vijnë t’i plasin sytë këtu dhe të shohin se si janë të konceptuara këto pako me ato që janë ushqimet bazë për çdo familje.”