Ministrja e Mbrojtjes Olta Xhaçka, shoqëruar edhe nga Drejtori i Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile Haki Çako ka qenë në Thumanë, Shijak e Ishëm për të shpërndarë së bashku me efektivë të Forcave të Armatosura pakot ushqimore për familjet në nevojë.

 

Gjatë bisedave me banorët, Xhaçka i ka këshilluar të respektojnë rregullat e përcaktuara për tu mbrojtur nga COVID-19.

 

“Kujdesuni për veten. Qëndroni në shtëpi e na kontaktoni nëse ju nevojitet diçka. Të gjithë bashkë do të bëjmë çmos që ta kalojmë këtë situatë”, i tha Xhaçka një prej banoreve të Thumanës, e cila e falenderoi ministren për ndihmën.

 

Shpërndarja e pakove ushqimore do të vijojë edhe në ditët në vijim, deri në kapërcim të situatës së krijuar nga Covid 19. Forcat e Armatosura, përmes Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile dhe Rezervat e Shtetit janë angazhuar që në bashkëpunim me pushtetin vendor të shpërndajnë në të gjitha bashkitë e vendit ndihma ushqimore për të moshuarit dhe familjet e varfëra.

 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re