Kreu i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, bëri me dije dhënien e lejes së ndërtimit për Xhaminë e Madhe të Prishtinës.

“Procesin e ndërtimit të ‘Xhamisë’ më në fund e kemi vënë në binarët e duhur!”, shkruan kryemenaxheri i kryeqytetit kosovar, që nuk dihet se pse e ka vënë në thonjëza, një defekt i rëndë ky në arkitekturën e gjuhës prej një arkitekti në profesion.

“Ky proces u shoqërua me procedura të stërzgjatura, me pajisjen e BIK-ut me kushtet ndërtimore në vitin 2017, të cilat u plotësuan me ndryshime më vonë në vitin 2020, kur edhe u pajisën me lejen për sigurimin e gropës së gërmimit.

Qytetarët e lagjeve ‘Dardania’ e ‘Ulpiana’ duhet ta gëzojnë të drejtën të praktikojnë fenë e tyre në mënyrë të dinjitetshme. Andaj, jemi të lumtur që më në fund, këtë proces sot e përmbyllëm me lëshimin e lejes ndërtimore për ndërtimin e këtij objekti fetar!”, mbyll njoftimin e tij Rama i Prishtinës, duke jua atribuar xhaminë e re dy lagjeve të njohura.

Kujtojmë se Prishtina trashëgon një grusht xhamish të traditës osmane pak metra nga njëra tjetra, në zemrën historike të saj, si dhe me dhjetra në lagje e zona të ndryshme. Ndërsa kjo e reja, startuar si inisiativë e vite më parë, synon të luajë rolin e një xhamie të madhe e qendrore për jetën islame të kryeqytetit kosovar.

Për të pati një konkurs ku u ofruan shumë variante arkitektonike, por në fund duket se ka mbetur modeli osman, pa risi, siç në Tiranë.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re
Berati TV Live Kliko