Vendet e kultit në Shqipëri janë shndërruar tashmë dhe në destinacione turistike gjatë sezonit dimëror. Këto vende tregojnë bashkëjetesën tonë fetare dhe kanë vlera arkitektonike dhe historike.
Qyteti i Beratit ka mjaft vende dhe destinacione për t’u eksploruar dhe një ndër to është dhe Xhamia e Plumbit. Ajo është e ndërtua në vitet 30 të shekullit XVI. Monumenti ngrihet në qendër të qytetit dhe u ndërtua me porosi të feudalit vendas Ahmet Bej Uzgurliu, një feudal vendas i konvertuar në islam.
Elementët përbërës arkitekturor të monumentit janë: salla e lutjeve në formë katrore me kupolë, portiku nga ana veriore mbuluar me kupola më të vogla se ajo qendrorja dhe minarja e lartë dhe e hollë punuar në bazamentin e saj në teknikën e kluasonazhit.
Në brendësinë e saj karakteristik është ndriçimi i bollshëm nga prezenca e shumë dritareve. Dyshemeja e xhamisë ka qenë e mbuluar me tulla gjashtëkëndëshe, nga e cila ruhen vetëm disa fragmente./ DRKK Berat