Pavarësisht se u sulmua shumë herë që nga themelimi i Izraelit, Xhamia Hasan Beg, e cila u ndërtua gjatë epokës Osmane në qytetin palestinez Xhafa, u ka mbijetuar sfidave të kohës me bukurinë e saj arkitektonike.

E ngritur në lagjen Neve Tzedek të Tel Avivit, kryeqytetit të Izraelit, xhamia u urdhërua të ndërtohet nga guvernatori i Perandorisë Osmane në Xhafa, Hassan al-Basri Aljabi në lagjen e atëhershme Manshija në vitin 1914.

Ndërsa lagjja Manshija e Palestinës Osmane u shkatërrua plotësisht nga bandat sioniste që ishin pjesë e elementëve themelues të Izraelit, Xhamia Hasan Beg i shpëtoi prishjes nga frika e përgjigjes së mundshme të ashpër nga bashkësia ndërkombëtare.

I themeluar në vitin 1948 në një pjesë të madhe të tokave historike palestineze, shteti i Izraelit lidh administrativisht qytetin Xhafa me bashkinë e kryeqytetit Tel Aviv.

Izraeli përfshiu qytetin e vjetër Xhafa nën menaxhimin administrativ lokal të Tel Avivit ndërsa dyert e Xhamisë Hasan Beg u mbyllën për muslimanët.

Palestinezët ende kujtojnë se për kaq shumë vite, xhamia u përdor si hambar dhe strehë kafshësh dhe u bë një vend që frekuentohej nga personat e varur nga droga.

Pasi ishte shkëputur nga mjedisi musliman me hostele të ndërtuara më vonë dhe vende argëtimi rreth xhamisë, ajo u rihap për adhurim në fund të viteve 1970 nga komuniteti musliman në Xhafa.

Duke folur për (AA), imami i Xhamisë Hasan Beg, Sheiku Ahmad Abu Ajwa tha se Izraeli po përpiqet të shkatërrojë identitetin arabo-islam të tokave historike palestineze.

“Asgjë nuk ka mbetur nga lagjja Manshija përveç kësaj xhamie, e cila është dëshmitare e historisë”, tha ai duke shtuar se e gjithë kjo ndodhi pas Nakba-s (Katastrofës), duke iu referuar krijimit të shtetit izraelit në vitin 1948 kur qindra mijëra palestinezë u zhvendosën ose u larguan nga shtëpitë e tyre.

Duke theksuar se xhamia ishte e mbyllur për adhurim menjëherë pas krijimit të Izraelit, Abu Ajwa tha se: “Xhamia Hasan Beg në lagjen Manshija, ku palestinezët iu nënshtruan migrimit të detyruar, ajo u braktis dhe fati i saj mbeti në duart e bandave hebraike, duke iu nënshtruar sulmeve të përsëritura”.

Ai theksoi se në hapësirën e xhamisë mund të falen afërsisht 3.000 njerëz.

“Xhamia Hasan Beg është një kryevepër osmane. Kushdo që shikon strukturën e xhamisë, nga hyrja e saj në minberin dhe mihrabin e saj, do të shohë se është një vepër gjigante osmane”, theksoi Ajwa.

“Megjithatë, të gjithë palestinezët, veçanërisht banorët e Kudsit të pushtuar dhe vëllezërit dhe motrat tona në Turqi kanë ofruar mbështetje të plotë për këtë xhami”, shtoi ai.

Shoqata Mirasimiz (Trashëgimia jonë) e Turqisë, e cila punon në ruajtjen e trashëgimisë osmane në Kuds dhe territoret e saj ngjitur, në partneritet me Fondacionin Al-Aksa, të themeluar nga qytetarë palestinezë të Izraelit, restauruan fasadat lindore dhe verilindore të xhamisë dhe rindërtuan murin juglindor të xhamisë në përputhje me arkitekturën osmane në vitin 2009.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re