Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti ka reaguar pas hyrjes së xhandarmerisë serbe në fshatin Karaçevë të Kamenicës ditën e djeshme.

Në një postim në rrjetet sociale Hoti është shprehur se qytetarët e Kosovës do të mbrohen nga institucionet.

Ndër të tjera ai thotë se tashmë janë angazhuar të gjitha organet përkatëse për të vlerësuar rastin.

“Shpejt do të kem një raport të detajizuar. Qytetarët tanë në atë pjesë nuk do të jenë pa mbrojtje të institucioneve. Veprimet tona do të jenë në përputhje me kushtetutën dhe ligjin, si dhe të koordinuara me të gjithë mekanizmat e sigurisë në vend”, ka shkruar Hoti.

Xhandarmëria serbe u fut ditën e djeshme në brendësi të Kosovës. Këtë ngjarje e ka pikasur nga kamerat e sigurisë, pronari i një restoranti, që ndodhet në Komunën e Kamenicës.

Adhurim Krasniqi, ka publikuar edhe videon në rrjetet sociale, ku shihet se si serbët futen brena territorit të Kosovës.

Krah videos, Krasniqi i bën thirrje shtetit që të marrë masa, dhe kërcënon se herën e dytë që mund të ndodhë kjo gjë, ai nuk do ta lejojë dhe do t’i përgjigjet një provokimi të tillë.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re