Në provincën kineze të Xinjiang, në perëndim të vendit, dje më 16 korrik u regjistrua një temperaturë rekord për mesin e korrikut prej 52.2 gradë Celsius, njoftoi Instituti Meteorologjik.

Kina aktualisht po përballet me një valë të nxehti dhe Xinjiang është një zonë gjysmë e shkretë që kufizohet me disa vende të Azisë Qendrore dhe është zakonisht rajoni më i nxehtë në Kinë.

 “Të dielën në orën 19:00 (12:00 CET) stacioni meteorologjik në fshatin Sanbao, pranë oazit Turpan, mati 52,2 gradë Celsius”, njoftoi të hënën Instituti Kombëtar Meteorologjik.

Temperatura e mëparshme rekord, e matur nga ai stacion në korrik 2017, ishte 50.6 gradë Celsius. Turpan ndodhet në pragun e shkretëtirës Taklamakan. Temperatura e matur në tokë të dielën ishte 80 gradë Celsius.

Valët e të nxehtit gjatë verës nuk janë të rralla në Kinë, por vendi është përballur me kushte ekstreme të motit muajt e fundit.

Në janar, një temperaturë e ulët rekord prej -53 gradë Celsius u regjistrua në Kinë, në Mohe në kufirin me Rusinë. Vitin e kaluar, muaji gusht ishte më i ngrohti në Kinë që nga fillimi i publikimit të të dhënave në vitin 1961.

 

 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re