Xhelal Mziu ka bërë një reagim, pasi është vendosur nga Lulzim Basha në krye të listës së Qarkut të Dibrës.

Më poshtë reagimi i plotë, pa komente nga redaksia, të cilat do të ishin të tepërta në këtë rast:

“Të dashur bashkëqytetarët e mi të Dibrës, Matit e Bulqizës!

Vendosja ime në krye të listës së ekipit fitues të Partisë Demokratike dhe opozitës së bashkuar për qarkun Dibër, sigurisht që është privilegj, motiv dhe përgjegjësi, por mbi të gjitha është detyrimi që mbetet ndaj çdo familje të krahinës tonë të përbashkët.

Ne jemi të gjithë bijë dhe bija të këtyre maleve, grykave, luginave dhe odave të shquara, të cilat na kanë dhënë shumë nga mënçuria dhe karakteri i tyre.

Tek e fundit, ne jemi gjak dhe produkt i vatrës së madhe malsore.

Është pikërisht ky gen, që na ka dhënë mundësinë për të qenë të suksesshëm në profesionet dhe angazhimet tona të deritanishme.

Janë shumë bija dhe bijë të kësaj zone që kanë shkëlqyer në profesionet e tyre qofshin akademike, zanate si ndërtues, blegtor, fermer apo politikë, arte dhe biznes.

Shumë prej tyre mund të ishin në këtë listë përfaqësuese dhe do të ndiheshim të nderuar, por rrethanat, përkushtimi dhe fati, më ngarkuan mua dhe emrat e tjerë të shquar,  që të kemi privilegjin dhe barrën e përcjelljes së vullnetit, zërit dhe problemeve Tuaja në Kuvendin e Shqipërisë.

Motra dhe vëllezër, me përulje dhe mirënjohje ju premtoj se, në mos tjetër gjë, unë dhe ekipi që kryesojë do të jemi zëri, veshi, halli dhe gëzimi juaj, jo si politikan, por si një nga Ju.

Dua të theksoj: me Lulzim Bashën Kryeministër, qarku Dibër dhe gjithë Shqipëria, do të jenë më mirë në gjithë aspektet familjare, shoqërore dhe ligjore.

  1. Basha, duke më ngarkuar me përgjegjësinë të drejtoj fushatën dhe frymën e fitores të Matit, Klosit, Bulqizës dhe Dibrës kundër të keqes më të madhe të këtij vendi, Edi Ramës dhe sektit të tij, në fakt beson sa tek unë aq edhe te secili prej jush.

Ai beson tek ne jo vetëm, se është një  shqiptar i madh e patriot, por sikurse ne, është bir i këtyre anëve.

Bashkë me ekipin e Fitores së PD të qarkut Dibër, ne do të fitojmë dhe nuk do e zhgënjejmë Lulzim Bashën dhe shpirtin e demokratëve të Dibrës, Burrelit, Bulqizës e Klosit.

Unë, Xhelal Mziu, në emrin dhe mbështetjen Tuaj, të çdo familje Dibrane e Matjane, premtoj se do t’i kthejmë Qarkut Dibër dinjitetin e nëpërkëmbur nga kjo qeverisje kriminale.

Ju falemindert për mbështetjen tuaj! Zoti e nderoftë Dibrën, Matin e Bulqizën!

Zoti na priftë nga e mbara! Fitore! Fitore”.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re