Eksperti i ekonomisë, Selami Xhepa në studion e Abc News ka komentuar  miratimin e Eurobondit dy ditë më parë për qeverinë shqiptare.

Në fjalën e tij Xhepa ka theksuar se është e rëndësishme që pas marrjes së borxhit publik, ai të përdoret për investime që do të sjellin frymëmarrje në qeveri.

“Kur marrim këtë lloj borxhi nuk duhet të krenohemi me fatin që kemi marrë borxh. Në lidhje me besueshmërinë nuk  është një çështje për tu krenuar, pasi ne duhet të krenohemi se duhet të krenohemi kur i lajmë jo kur i marrim. Ne kemi vite që marrim borxhe dhe që borxhi i Shqipërisë është rritur shumë. Marrja e borxhit publik për të shlyer një borxh është normale, pasi borxhi është i përjetshëm por e rëndësishme është të ruajmë tavanin e borxhit publik që tashmë nuk po diskutohet, Kryeministri ka thënë se për shkak të tërmetit dhe pandemisë do të bëjë edhe rishikimin e buxhetit. Problemi është çfarë investimesh publike kryejmë me borxhin që marrim. Kur merret borxh ka një logjikë. Një privat që merr borxh për të blerë bukë nuk ka përfitim, por kur merret për një investim është i shëndetshëm. Dhe qeveria kur merr borxh duhet të investojë në ato sektorë të rëndësishëm”, është shprehur eksperti Xhepa.

Sipas Xhepës amnistia është një vendim i rëndësishëm por patjetër për ta arritur një gjë të tillë është e rëndësishme që në lidhje me ketë reformë duhet të respektohet ligji.

Profesor Xhepa në intervistën e tij me gazetaren Juli Xhokaxhi është shprehur se Shqipëria ndodhet në zonën gri të mbikëqyrjes së ndëkombëtarëve dhe kjo e bën pak të vështirë dhe besimin e saj në mënyrë që të rriten investimet e emigrantëve në vend.

 “Amnistitë nuk janë një gjë e veçantë dhe bëhet në shumë vende të tjera dhe gabimi është njerëzor, Shqipëria është një  vend që pas kalimit nga një vend komunist dhe kemi nisur pa ligje dhe shumë qytetarë për shkak të këtij ndryshimi mund të mos e kenë zbatuar ligjin, ndaj është e rëndësishme falja. Kjo nuk është një falje nga qeveria por nga shoqëria, e dyta është elementi i abuzimit, pasi përmes këtij procesi krijohen mundësi për të legalizuar para nga krimi i organizuar, është problem pasi duhet të zbatohet ligji. Në raportin e Manival Shqipëria është provuar se nuk ka mekanizmat e duhur për të provuar se sistemi është i papenetrueshëm nga bota e krimit kjo është dhe arsyeja pse Shqipëria mori një vlerësim ngelës. Ne jemi në zonën gri dhe mbikëqyremi në një mënyrë intensive, duke qenë në këtë situatë ku është siguria që ne do të amnistojmë paratë e emigrantëve. Qeveritë në vendin tonë fillonin me falje të faljeve për sigurimet shoqërore, qeveria para tre vitesh mori një vendim në lidhje me luftën kundër informalitetit dhe filloi një aksion ndaj informalitetit , por sërish pa bërë një reformë tjetër e bëjmë në vitin zero. Sipas meje kjo është një lloj amatorizmi dhe mungese serioziteti për mënyrën se si ne bëjmë ekonomi e dëmtojnë më shumë problemin në ekonomi”, ka thënë eksperti.

Profesori ndër të tjera ka theksuar se nuk është zgjidhje heqja e tatim fitimit për biznesin, por e rëndësishme është që të krijojm premisa që këto biznese të kenë sa më shumë fitime.

“Nuk është çështja që të heqim tatim fitimin për biznesin, por ne duhet të krijojmë premisa që individët të fitojnë më shumë dhe të paguajnë më shumë.  Sistemi i taksimit progresiv nga pikëpamja e efiçencës është problematike, dhe në Shqipëri nuk ka dhënë ndonjë efekt mbrojtje për shtresat në nevojë. Klasat e mesme janë ato që e paguajnë gjithmonë faturën. Efekti ishte i rëndësishëm për zbutjen e varfërisë në Shqipëri, pasi dhe në raportin e fundit të BB gjysma e popullsisë në vendin tonë ka probleme me sigurimin e të ardhurave, por për mua është e pamjaftueshme. Do të kishte qenë më mirë të kishim dy qasje një qasje si mbështetje sociale siç është bërë në Kinë që u është dhënë bonos, letra me vlerë që mund të blejnë një sasi të caktuar ushqime ndërsa lekët njerëzit mund dhe ti ruajnë, për biznesin dhe ekonominë duhet të kishte një tjetër rëndësi që është ajo e ruajtjes së qëndrimit në punë. Rregulli duhet të jetë që të gjithë të jenë të barabartë dhe njëlloj përfitues,” është shprehur Xhepa.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re