20 vjet pas ngjarjes me motovedetën “Mujo Ulqinaku”, ku mbetën të vrarë tre persona dhe ushtari-marinar që i vrau do të dekorohej me urdhrin e lartë “Hero Kombëtar”, skenaristi Nasho Jorgaqi dhe regjisori Dhimitër Anagnosti, do t’i ktheheshin asaj, duke i kushtuar një film të titulluar “Duel i heshtur”. Ishte viti 1967, që përkonte me 20-vjetorin e ngjarjes.

Ngjarja në film ndryshon shumë nga historia e vërtet e asaj që ndodhi të dielën e 1 qershorit 1947. Në film luajnë katër aktorë, të cilët në vitet në vazhdim do të bëhen nga aktorët më të mirë të vendit. Ata janë: Rikard Ljarja, në rolin e Skënder Gurit (Spiro Kota), Ndrek Luca në rolin e kapter Ramiut (Vlash Bushi) dhe Reshat Arbana e Bujar Kapexhiu në rolet e dy marinarëve të tjerë (Enver Kruçi e Xhemal Kërniqi).

Ky film, ose kjo poemë e vërtetë për heroizmin e trajtuar në një platformë psikologjike, shënoi një sukses për artin kinematografik shqiptar. Regjisori Dhimitër Anagnosti bashkë me grupin e xhirimit punoi duke vënë theksin tek çdo kuadër, te mendimi i qartë se marinari do të fitojë, se ai për asnjë çast s’dyshon në vendosmërinë e tij. Gjithçka që shikohet në film, përfshi edhe muzikën e bukur të Nikolla Zoraqit, është e ngjeshur me ide, me vërtetësi.

 

Xhirimet për filmin “Duel i heshtur” nisën në portin e Durrësit në një nga ditët e muajit shkurt 1967. Në një cep të portit është ankoruar një anije e vogël që tërheq vëmendjen. E drejton ekuipazhi ushtarak, por në të shihen edhe aktorë, kineastë që lëvizin nëpër kuvertë duke siguruar vendosjen e aparateve, prozhektorët dhe mjeteve të tjera të punës. Shumë shpejt në port e në qytetin e Durrësit u përhap lajmi se kishin filluar xhirimet  e filmit “Duel i heshtur”.

Moti është i keq, me erë që vjen nga veriu edhe re të dendura që paralajmërojnë shiun. Anija e vogël del në det të hapur për të kryer xhirimet dhe lëkundjet kanë filluar të bëhen edhe më të mëdha. Xhirimet fillojnë në timoneri.  Personazhi me emrin Skënder ka kuptuar qëllimin e vërtetë të atyre që duan të arratisen. Regjisori Dhimitër Anagnosti jep shenjën e fillimit.

Mbas pesë dublash xhirohet “plani” i parë. Ndonjë prej aktorëve apo pjesëtarëve të grupit të xhirimit e zë deti, por xhirimet duhet të vazhdojnë pa ndërprerje. Edhe “plani” i dytë përfundoi me sukses. Kështu xhirohen 46 metra film të dobishëm.  Ishte filmi i parë që xhirohej për vitin 1967 që do të pasohej me xhirimin e filmave të tjerë si “Ngadhënjim mbi vdekjen” e “Horizonte të hapura”.

Kinematografia shqiptare kishte nisur të prodhonte filmat e saj të parë dhe tashmë nga viti në vit, nga prodhimi në prodhim po fitonte përvojën e nevojshme. Në rolin e Skënder Gurit, aktori Rikard Ljarja vinte pas suksesit që kishte arritur në interpretimin e Dritanit në filmin “Komisari i dritës” që ishte mirëpritur nga artdashësi shqiptar dhe kritika.

 

 

 

/aktoretshqiptare.info

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re