Në çështjen “Xhisiela”, që është po aq dhe çështja “Nuhu” apo “Rraja”, ku ndërfuten e interferojnë pra personazhe e kontekste që e bëjnë një mish-mash gjithë sa ka ndodhur por dhe që po ndodh, është vënë re pandjeshmëria dramatike në qasjen morale nga ana e politikës. Në dy kahjet e saj, pati nga dy përdhunime ndaj aspektit moral të çështjes.

Për opozitën është krejt normale që ajo ta politizojë çështjen. Ajo është aty dhe duhet ta përligjën veten pikërisht për shndërrimin në kauza të të tilla të zhvillimeve negative, ku padyshim ka dorë shteti i një pushteti të caktuar. Policia a prokuroria, e ka e para apo e dyta përgjegjsinë, “Xhisiela” bën mu që është viktimë e një shteti pis, që bën xhambazin me të dobëtin e të nënshtruarin ndaj të fortit.

Dhe opozita nuk pse mos bëjë politikë me atë është bërë ankth i jetëve tona.

Por ajo nuk pse të jetë kaq makiaveliste, deri në shpërfytyrim. Qasja ndaj aspektit “Balla” në gjithë këtë mesele, që jo thjesht është të besuarit verbërisht ndaj gënjeshtrave të trasha të një polici, por qartazi një investim i saj okult për ta patur aty, në këtë histori, tregon atentatin që PD i bën moralit politik pa e marrë fare në konsideratë si vlerë të sajën. Pra, ajo nuk e beson më në moral dhe kjo është e frikshme.

E njëjta gjë dhe në kahjen tjetër, atë të pushtetit. Asnjë sinjal që Rrahman Rraja, i biri i Rrexhep Jahjës, me identikitin e qartë tashmë të një horri rrugësh, jo ligjërisht por moralisht, nuk duhet të jetë më deputet. Ai e nisi javën krejt normal, pa asnjë skuqje në faqe, morri rrugën nga Kruja në Tiranë, u fut në Kuvend, më pas në mbledhjen e grupit, doli që aty, bëri një status në FB, të gjithë këto m djalin në burg të akuzuar për dhunën ndaj një vajze, duke llogaritur dhe trazimin që i ka sjellë një shoqërie të tërë. As ndërgjegja e tij e as lidershipi në parti, nuk lëshuan as më të voglin zë për t’i thënë që ai, moralisht e jo ligjërisht, kishte humbur çdo të drejtë që të ishte përfaqsues populli.

Këto janë dy përdhunimet më të rënda që dy kahjet e politikës i kanë bërë moralit, po aq e rëndë, e ndoshta akoma më e rëndë, se ajo çfarë i ka ndodhur Xhisielës.                

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re