Sot pritet të jepet vendimi nga Gjykata e Shkallës së parë Fier për edukatoren Redina Binjaku si e akuzuara kryesore për vdekjen e 3 vjeçari 5 ditë më parë. Mësohet se ajo nuk do të paraqitet para togave të zeza për tu njohur me masën por do të përfaqsohet nga avokati i saj.

Sipas dëshmisë së saj në polici për vdekjen e vogëlushit, atë ditë ajo ka pasur 5 nxënës në klasë të cilëve po u bëntë mësim dhe se ndërsa ora po shkonte 13 ajo e kishte bërë gati fëmijën e kishte veshur dhe e kishte lënë në korridor afër portmontosë, ku ndodhej çanta, pasi një fëmijë tjetër nga grupi i saj po qante.

Ky ka qenë dhe momenti fatal. Edukatorja kishte shkuar brenda në klasë për të parë se çfarë kishte ndodhur me fëmijën tjetër, pse po qante dhe e ka qetësuar atë.

Kur është rikthyer për tek fëmija 3-vjeçar që e la në korridor pranë portmontosë ,e ka gjetur atë të varur tek varësja ku fëmijët linin xhupat dhe çantat.

Janë munduar që ta sjellin në jetë duke i dhënë ndihmën e parë por njëkohësisht kanë njoftuar përgjegjësen, stafin e më tej administratorin.

Po këto burime pohuan se fëmija ka hipur në pjesën ku lihen këpucët që të marrë çantën nga varësja, por aty ka rrëshqitur duke i ngecur kapuçi në varëse, gjë që i shkaktoi mbytjen dhe ka bërë që të ndërrojë jetë.

Policia shkoi në vendin e ngjarjes dhe sekuestroi serverin me pamjet filmike ndërkohë që fëmija kishte mbërritur pa jetë në spitalin e Fierit. Nga këqyrja që u bë kufomës mësohet se në trupin e tij nuk ishte gjetur asnjë shenjë në trup përveç shenjës që kishte lënë të pjesën e gushës kordoni i kapuçit të xhupit.

Mesohet se ambientet e kopshtit survejohen me kamera si salla e lojërave, salla e ngrënies, sallat e mësimit, por i vetmi vend 4 metra i gjatë midis klasave ku fëmijët lënë xhupat dhe çantat dhe nuk rri njeri, nuk kishte kamera dhe aty ndodhi ngjarja në fjalë.

Edukatorja ka mbaruar arsimin e lartë për profilin e punës, është punësuar konform rregullave dhe i paguheshin edhe sigurimet shoqërore. Mësohet se ajo jetonte në Levan të Fierit me të vëllanë, pasi disa vitesh i kishin ndërruar jetë prindërit.

Fundjavën që ndodhi ngjarja do të kryente ceremoninë e fejesës.

Nga ana tjetër, në ambientet e kopshtit privat ku ndodhi ngjarja një ekip kontrolli i Ministrisë së Arsimit ka mbërritur mesditën e djeshme për inspektim dhe pritet që të nxjerrë rezultatet.

Prindërit dhe familjarët e vogëlushit kërkuan dje që të shikonin pamjet filmike për t’u qetësuar dhe për të mësuar të vërtetën nga prokurori i çështjes dhe ata kërkojnë drejtësi.

/faxweb

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re