Plani i Bashkimit Evropian për stimulimin e rimëkëmbjes ekonomike nga pasojat e krizës Corona ka hasur në një pengesë, sepse çështja e kushtetutshmërisë së marrjes së përbashkët të borxhit të bllokut me 27 anëtarë është ngritur para Gjykatës Kushtetuese gjermane.

Shtetet anëtare të BE ranë dakord në korrik të vitit të kaluar të lëshojnë bono të përbashkëta në tregjet financiare ndërkombëtare përmes Komisionit Evropian, në mënyrë që të mbledhin 750 miliardë euro (883 miliardë dollarë) për të zbutur efektet negative të pandemisë në ekonomitë kombëtare, raporton CNBC.

Megjithëse vendet e BE-së marrin shumë vendime politike së bashku, secili vend ka kontroll të plotë mbi rregullimet e tij fiskale. Pranimi i borxhit të përbashkët ka rezultuar i diskutueshëm për vendet më konservatore fiskale të bllokut, të cilët kanë frikë se do të rezultojë në një barrë më të madhe për taksapaguesit e tyre.

Një organizatë joqeveritare në Gjermani, Aleanca e Vullnetit të Qytetarëve, ka paraqitur një apel në Gjykatën Kushtetuese të vendit, duke deklaruar se marrëveshjet evropiane nuk lejojnë huazime të përbashkëta.

Ndalimi i përkohshëm i ligjit

Si rezultat, një gjykatë gjermane ndaloi të premten një ligj që do t’i hapte rrugë Komisionit Evropian për të hyrë në tregun e borxhit dhe për të mbledhur fonde për Fondin e Rimëkëmbjes.

Gjykatësit gjermanë thanë se ata duhej të merrnin një vendim parandalues ​​për të ndaluar përkohësisht ligjin.

“Ne jemi të vetëdijshëm se Fondi i Rimëkëmbjes është një projekt politik që tashmë është vendosur. Sidoqoftë, duke pasur parasysh rreziqet domethënëse, qeveria federale duhet të sigurojë që huazimi në nivelin e BE dhe anashkalimi i rregullave fiskale të mos bëhet një zgjidhje e përhershme,” tha Gjykata Kushtetuese në një deklaratë.

Vendimi i gjykatës gjermane erdhi pavarësisht nga fakti se 478 nga 645 anëtarët e parlamentit gjerman javën e kaluar i dhanë “dritën jeshile” ratifikimit të ligjit të përbashkët të borxhit të BE.

 “Re e pasigurisë”

Stacioni televiziv amerikan gjithashtu kujton se KE nuk mund të kërkojë fonde në tregjet financiare para se të gjitha vendet anëtare të miratojnë ligjin përkatës për një lëvizje të tillë.

Deri në 22 nga 27 vendet anëtare të BE kanë kaluar deri tani ligjin.

Austria, Polonia, Hungaria dhe Hollanda nuk kanë konfirmuar ende kur parlamentet e tyre do të votojnë mbi ligjin e përmendur dhe një re e pasigurisë mbi këtë çështje tani po kalon mbi Gjermaninë, sipas CNBC.

“Nëse kjo çështje nuk zgjidhet shpejt dhe vendimi i Gjykatës Kushtetuese nuk përputhet me ligjin e miratuar më parë nga të dy dhomat e parlamentit gjerman me një shumicë të madhe, pagesa nga fondi mund të vonohet ose edhe të rrezikohet,” shkroi në një koment Holger Schmieding, shefi ekonomist evropian i Bankës Berenberg në Hamburg.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re