Situatat dhe ngjarjet dramatike përjetohen me të vërtetë vetëm kur rrëfehen ose kur i lexojmë të rrëfyera nga të tjerë

Nga Leonard Veizi

Edhe pse për më shumë se 30 vjet me banim në Paris, Ylli Demneri nuk mund të harrohet në Shqipëri, për më tepër në Tiranë. Si emër jo e jo, por as si pamje fizike, falë ndryshimeve të vogla e thuajse të papërfillshme të pamjes së jashtme. Por këtu nuk i vjen në ndihmë as “Air France” që e merr për fluturim sa herë e sheh të nevojshme, duke e bërë të jetë më shpesh i pranishëm në rrugët e kryeqytetit ose në baret e tij.

“Mos është ajo quksja që ka dalë në dritare. Eeeeej, radha 2, karrigia 7, me ne e keni?”

Kjo është njëra prej batutave të paharrueshme, e segmentuar nga filmi simbol i viteve ‘80 “Në çdo stinë”, e që kap një prej majave të vetë prodhimit kinematografik. Sepse ajo shkaktonte ndër spektatorët, pa dyshim, një ndjenjë të lartë humori e ilariteti pozitiv. E pra, batuta është interpretuar nga Ylli Demneri, që me siguri e ka fituar atë rol, nëpërmjet kinoprovave, dhe jo thjesht se asokohe ndiqte studimet në Institutin e Lartë të Arteve për regji.

Nëse filmin nuk e keni parë në kinema, patjetër e keni ndeshur nga transmetimet e kanaleve televizive që japin filmat e ish-Kinostudios. Dhe gjithkush mund ta mbajë mend vijimin e batutave të mëpasme: “Gdhiu dhe dita e premte. Kush pret deri në orën pesë”. Sekuencave skematike të filmit që vazhdon me një qitje absurde të studentëve zboristë ndaj një avioni armik me simbolet CCCP, u vjen në ndihmë për t’u lehtësuar sado pak nga klisheja e politikës strikte, pjesa tjetër e batutave: “Varja, dëgjomë mua, ajo nuk e meriton vëmendjen tënde. Një copë volejbolliste, nuk e shef. Iu rrit mendja asaj, posi”.

Artist në disa dimensione, Ylli Demneri do të përfundonte një shkollë për pikturë dhe një tjetër për regji teatri, por do të angazhohej me role si aktor në disa filma, dhe disa libra të botuara me emrin e tij qëndrojnë në vitrinat e librarive. E, për më tepër, është dhe drejtor artistik i një reviste të quajtur: “Le Journal des Acteurs Sociaux” . Pra, duam apo nuk duam ne, ai e ka plotësuar më së miri kuadrin e tij artistik. Ndërsa për gazetën “Fjala”, ai vjen nëpërmjet kësaj interviste, ku ndan shqetësimet e kohëve të fundit:

Edhe pse është në përfundim e sipër, gjithsesi, ishin muaj karantine. Si i kaluat këto ditë?

Duhet të them se gjatë këtyre tre muajve kam punuar në shtëpi. Kështu që një pjesë të mirë të kohës ma ka zënë puna. Madje, në disa aspekte puna në shtëpi krijon disa vështirësi. Së pari, në vetë organizimin e kohës. Koha e punës dhe koha e lirë ndërthuren me njëra-tjetrën, duke krijuar një turbullim jo dhe aq të shëndetshëm.

Kishte ditë që qëndroja në shtrat duke lexuar ose shkruar, me mendimin që punën e punës mund ta bëj më vonë. Por vura re se me kalimin e ditëve këto lloj “lirish” krijojnë një anarki që, po nuk u zotërua, bëhet mbytëse. Njeriu ka nevojë për mosprishjen e disa rregullave të përditshme.

Madje, sipas Kantit, është respektimi i këtyre ritmeve të përditshme ai që na fal lirinë. Sepse krijon siguri. Vetë Kanti respektonte të njëjtat orare dhe shëtiste çdo ditë, duke bërë të njëjtin itinerar. Madje, thuhet se vetëm dy herë në jetën e tij e ka prishur këtë rrugëtim: kur shkoi të blejë librin e Rousseau-it “Du contrat social” dhe kur shpërtheu revolucioni francez.

Ndërsa pozitive ishte mungesa e orëve të humbura nëpër metro apo autobusë. Nga kjo kohë e fituar kam mundur të përfitoj, duke u marrë me gjërat që më pëlqejnë, duke qenë i vëmendshëm ndaj natyrës, duke e dëgjuar dhe analizuar veten. Kjo mbyllje të bën më të vëmendshëm rreth asaj që ndodh rrotull teje.

Të mpreh vështrimin dhe, shpeshherë, kjo mpreh edhe reflektimin. Duke zbuluar edhe nuancat e karakterit dhe të natyrës tënde. Duke gjetur fjalën e duhur për të gjitha këto nuanca. “Fjala reflekton shpirtin”, thoshte Seneka. Kjo mbyllje gjithashtu të shtyn drejt arratisjeve. Dhe a ka arrati më të mirë se ajo me anë të librave? Librat janë anija që të shpie më larg. Që nga historitë e fillimit të botës e deri tek ato që mund të ndodhin në të ardhmen. Situata të tilla të shtyjnë drejt asaj që është thelbësore, e vërtetë, e rëndësishme.

A ka qenë frymëzuese për ju një situatë e tillë?

Për mua, frymëzim do të thotë përqendrim. Mundësia për t’u përqendruar. Në këtë aspekt këto lloj situatash janë pozitive. Të përkëdhelin me privilegjin që kanë ata shkrimtarë që nuk janë të detyruar të bëjnë punë të tjera për të jetuar. Aq më tepër kur kjo shoqërohet me lexime librash, jo vetëm artistikë. Kur atë që ke ndier e gjen te libri që po lexon. Shpeshherë ka ca rastësi të pashpjegueshme, si çdo rastësi, por shumë të frytshme.

Çfarë ka ofruar Parisi në një situatë të tillë? (Besoj se karantina ju ka zënë aty.)

Parisi gjatë karantinës ka qenë një qytet i vdekur. Por shumë i këndshëm për të shëtitur, aq sa e lejonin rregullat. Cocteau thoshte se s’kishte gjë më të këndshme sesa të shëtisje në Paris gjatë pushtimit nazist, si dhe gjatë muajt gusht kur të gjithë parizienët shkojnë për pushime. Gjithsesi, një Paris të boshatisur në pranverë, si asnjëherë në historinë e tij, besoj se Cocteau do ta kishte shijuar akoma më shumë.

A mund të përbëjë ky precedent (pra ditët në karantinë), një motiv që në të ardhmen të ketë prozë dhe vargje rreth saj?

Çdo gjë është e mundur. Ditët në vazhdim do të krijojnë situata akoma më të vështira. Zakonisht janë situatat dramatike ato që krijojnë letërsi të mirë. Ilaçi i ta gjithë situatave është të shkruarit. Situatat dhe ngjarjet dramatike përjetohen me të vërtetë vetëm kur rrëfehen ose kur i lexojmë të rrëfyera nga të tjerë. Ajo që ndodhi me interesin që treguan njerëzit në shumë vende të botës për librin e Camus-ë “Murtaja”.

Cila ka qenë primare në ditët e izolimit, leximi apo krijimtaria?

Leximi. Dhe pak, krijimtaria, nëse do ta quaja të tillë hapjen e blloqeve dhe leximin e disa shënimeve të shkuara.

Si aktor e regjisor, si e përjetuat aktin e fundit, prishjen e ndërtesës së Teatrit Kombëtar?

Prishja e Teatrit Kombëtar në mes të natës është një akt i pabesë dhe barbar. Kjo pabesi nuk ka asgjë nga marrëdhënia e sinqertë me qytetin që duhet të ketë çdo njeri që është zgjedhur për ta drejtuar atë. Kjo duket fare qartë në të gjitha ato manipulime e dredhi administrative e ligjore të bëra gjatë këtyre viteve të fundit në lidhje me teatrin.

Përveç vlerave arkitektonike, teatri ishte kthyer në një tempull, falë teksteve të Shekspirit, Molierit, Shilerit, Goldonit, Brehtit, Gogolit, Çehovit etj., të interpretuara nga aktorë të talentuar. Ishte shenjtëruar nga zërat e tyre dhe emocionet e shkaktuara në sallë. Kjo nuk ka të bëjë fare me nostalgjinë. Por, atë teatër “e shqyen”, siç u shpreh me të drejtë aktori Mehdi Malkaj, në lidhje me këtë akt barbar, edhe ata aktorë, regjisorë e skenografë që heshtën, duke vënë partinë mbi të gjitha. Pa përmendur të shiturit. Për fat të keq, ata mbetën aktorë e militantë, pa mundur të bëhen qytetarë. Qytetari është bartës i disa të drejtave dhe përgjegjësive. Qytetari është ai që merr pjesë në jetën e institucioneve politike dhe në krijimin e të mirës së përbashkët. Heshtja e tyre është e turpshme.

/aktoretshqiptare.info

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re