Anila Aliu, pianistja nga Gjilani është ngjitur në skena të mëdha dhe është cilësuar si ylli i ri i muzikës klasike në Gjermani. Së fundmi, ajo është edhe pjesë e jurisë në festivale të ndryshme muzikore dhe në “Vizionin e Pasdites” rrëfen eksperiencën e saj në botë dhe lidhjen me artin.

Viti që lam pas ishte i mbarë për të, duke shënuar edhe disa arritje të rëndësishme profesionale.

“Viti 2023 ka qenë i mbushur me shumë performanca, me eksperienca të jashtëzakonshme, gjëra që i kam provuar për herë të parë në jetën time, disa sfida që i kam tejkaluar edhe sot jam krenare t’i përmend, kështuqë tani që po reflektoj mund të them se secili vit ka qenë më i mirë se tjetri dhe 2023 padyshim mund ta cilësoj si më i miri”, tha ajo.

Anila theksoi se ndonëse ka punuar shumë, sërish nuk priste që rrugëtimi i saj të ishte i tillë.

“Unë kam punuar jashtëzakonisht shumë prej momentit të parë që kam filluar shkollën e muzikës dhe rrugëtimin tim si pianiste dhe që prej fillimi jam mësuar që t’i caktoj synimet dhe qëllimet vetes time të di saktë ku dua të arrij dhe të punoj shumë për t’i arritur. Të jem e sinqertë nuk është se i kam pritur gjithë këto suksese dhe një karrierë të një stolisteje në një moshë aq të re, sepse konkurrenca është e jashtëzakonshme edhe nevojiten shumë sfida e përvojë për t’iu bërë ballë skenave të mëdha, presioni është shumë i madh”, tha ajo duke nënvizuar se nuk e ka pritur suksesin aq herët dhe kji e bën krenare.

Por, kush e zbuloi talentin e saj?

“Personi që e ka zbuluar talentin tim ka qenë gjyshja ime, të cilën e përshëndes shumë edhe prindërit e mi”, tha ajo duke nënvizuar se pasioni dhe talenti i saj u ‘formësua’ nga suporti i familjes që i cilëson si artdashës.

Sa e vështirë është që një pianiste nga një vend i vogël si Kosova të triumfojë përballë shumë artistëve të tjerë në botë?

“Kur fillova të merrja pjesë në gara të ndryshme jashtë Kosovës, në kultura të ndryshme të muzikës, si Itali, në Francë e mbarë botën, fillova që t’i hapja dyert vetën në Europë e në botë”, tha ajo. “Është shumë e vështirë, talenti nuk mjafton është puna ajo që të kompleton e të shpie në maja Duhet të kesh karakterin shumë të fortë, ambicien e madhe, pasionin për muzikën”, shton ajo duke theksuar se performancat e para jashtë vendit ishin të vështira për shkak të konkurrencës dhe ndryshimeve në kulturën për muzikën mes vendeve.

Ajo rrëfën se prejardhja disa herë është kthyer në problem për performancat e saj.

“Ne si shqiptarë nuk i kemi gëzuar të njëjtat kushte, jemi rritur në rrethana të vështira, nuk kemi pasur të drejtën dhe lirinë e udhëtimit. Kam hasur në shumë sfida përsa i përket sfidave poltike, vizave, ka pasur shumë performanca që i kam humbur për shkak të këtyre sfidave dhe të mos flasim për kushtet që ende nuk i kemi sallat e duhura”, tha ajo.

Pjesë jo vetëm e skenave të mëdha, por edhe e jurive të kompeticioneve të rëndësishme, si është ndjerë Anila në këtë drejtim?

“Jam ndjerë jashtëzakonisht mirë, shumë e privilegjuar të isha pjesë e juristë. Jam shumë e gëzuar të them që më kanë pritur shumë ngrohtë dhe nuk ka pasur paragjykim, të paktën mesa di unë, shkaku se shqiptarët e sidomos ai rrethi atje dinë të vlerësojnë një person jo në bazë të viteve e të moshës, por në bazë të eksperiencës sepse unë fatmirësisht kam 16 vite përvojë në skenë”, tha ajo.//

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re