Ish-deputeti i Lëvizjes Socialiste për Integrim, tha se Shqipëria duhet t’i thotë jo Ballkanit të Hapur, për sa kohë Serbia nuk njeh Kosovën.

“Sonte në Shqipëri na kanë ardhur mysafirë dhe bashkë me zotin e shtëpisë, po hanë trutë e peshkut për të na shitur trutë e gomarit, sepse aty nuk shkon as Shqipëria, as Serbia, as Maqedonia e as Ballkani”, tha Manjani, duke iu referuar darkës te “Fish City” të organizuar këtë mbrëmje nga kryeministri Rama për të ftuarit, Vuçiç, Zaev dhe delegacionet e tyre.

“Nëse nuk njohin Kosovën, nuk njohin as Shqipërinë. Ndaj zotëri, nëse do të jesh mik me shqiptarët, njih Kosovën. Përndryshe, të bëftë mirë peshku, e rrugë të mbarë. Nuk mund të ulemi në asnjë tryezë, në krah me serbët e përballë Kosovës. Nuk shkohet në takime me armikun e vëllait”.

Manjani përgëzoi demokratët për kuvendin e 11 dhjetorit, ku u mor vendimi për shkarkimin e Lulzim Bashës si kryetar. “Proces i jashtëzakonshëm demokratik. I keni dhënë Shqipërisë një model që nuk e kishte parë asnjëherë. U vetëorganizuat, u mblodhët, treguat se anëtarët janë më të fortë se kryetarët, aq më tepër kryetarët gjumashë”.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re