Platforma më e madhe globale e internetit për shpërndarjen e videove, Youtube, ka ripostuar një video që tregonte vrasjet dhe dhunën izralite ndaj civilëve palestinezë pas reagimeve të shumta për largimin e saj ditë më parë, por ka vendosur kufizime në moshë.

E titulluar “Izraeli gjuan për të vrarë teksa getot e Gazës i rezistojnë rrënimit”, videoja e një palestinezi me emrin Sana Kassem ishte hequr nga Youtube më 22 prill.

Pas reagimeve dhe ankesave të shumta, përfshirë ato të profesorit hebre që jeton në SHBA, Norman Finkelstein, videoja sërish është vendosur në faqe më 25 prill, por me kufizim moshe.

“Do të presin me durim derisa të vriten tërë fëmijët në Gaza nga ana e Izraelit, dhe më pas do ta ripublikojnë këtë video”, tha për AA profesori Finkelstein, i cili reagoi për largimin e videos.

Finkelstein ka marrë përgjigje për ankesën në Youtube pak pas deklaratës për AA. Ai njoftoi se i është thënë që videoja në fjalë “nuk është e përshtatshme për të gjitha grupmoshat” dhe se është ripostuar në platformë me kufizim në moshë.

Profesori hebre Finkelstein ka ndarë me opinionin përgjigjen që ka marrë nga Youtube.

“YouTube ripostoi videon e Gazës, por e klasifikon atë si pornografi”, tha Finkelstein në llogarinë e tij në Twitter, ku gjithashtu ndau videon.

Videoja në fjalë mund të shikohet vetëm pas hyrjes me emër përdoruesi dhe konfirmimit të moshës.

Videoja e gjatë katër minuta e 40 sekonda nga Sana Kassem, rrëfen shkurtimisht incidentet e sulmeve të ushtarëve izraelitë ndaj palestinezëve gjatë protestave të tyre në Rripin e Gazës.

Të paktën 41 palestinezë janë vrarë dhe mijëra të tjerë janë plagosur nga sulmet e ushtrisë izraelite që nga 30 marsi, kur palestinezët filluan të tubohen në mënyrë paqësore përgjatë kufirit lindor të Rripit të Gazës me Izraelin nën moton “Marshi i Kthimit të Madh” me rastin e “Ditës së Tokës”, 42-vjetorit të pushtimit të një pjese të madhe të territoreve palestineze nga ana e Izraelit më 30 mars të vitit 1976.

Tubimet janë pjesë e një demonstrate gjashtë-javore që do të kulmojë më 15 maj. Kjo ditë do të shënojë 70 vjetorin e krijimit të Izraelit, ngjarje që palestinezët i referohen si “Nakba” ose “Katastrofa”.

Demonstruesit kërkojnë që refugjatëve palestinezë t’u jepet “e drejta e kthimit” në qytetet dhe fshatrat e tyre në Palestinën historike, nga e cila u dëbuan në vitin 1948 për t’i hapur rrugën krijimit të shtetit të ri të Izraelit./.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re