Platforma e medias sociale YouTube, hoqi disa kanale të ushtrisë në Mianmar ku u bë grusht shteti ushtarak.

Aktivistët e Mianmarit në një deklaratë nëpërmjet medias sociale për AA theksuan se kryesisht televizioni zyrtar i ushtrisë në vend MRTV dhe organet publikuese të ushtrisë kanalet televizive të Mianmarit, Myawaddy Media, MWD Variety dhe MWD nuk kanë mundur të kenë qasje në kanalet e tyre në YouTube.

Po ashtu është vërejtur se ka qenë e mbyllur edhe faqja e internetit të MRTV e cila më parë është sulmuar nga piratët kompjuterikë kundër grushtit të shtetit.

Edhe më 25 shkurt u mbyllën llogaritë e ushtrisë së Mianmarit në Facebook dhe Instagram.

Tajlanda filloi udhëtimet për evakuimin e shtetasve të saj në Mianmar

Në anën tjetër, Ambasada e Tajlandës në Naypyidaw, ka filluar fluturime për të lehtësuar kthimin e shtetasve të saj që ndodhen në vend dhe që dëshirojnë të kthehen në Tajlandë.

Në deklaratë nga ambasada thuhet se që nga java e ardhshme do të zhvillohen 2 fluturime në javë nga kompania Myanmar National Airlines për tajlandezët që dëshirojnë të kthehen në vendet e tyre.

Edhe Ministria e Jashtme e Singaporit dje paralajmëroi qytetarët e saj në Mianmar që të kthehen në vend.

Grushti ushtarak në Mianmar

Ushtria e Mianmarit pas pretendimeve nga grupet e afërta politike pranë saj për mashtrime në zgjedhjet e 8 nëntorit 2020 dhe pas rritjes së tensioneve në vend, mori pushtetin më 1 shkurt.

Teksa ushtria shpalli gjendje të jashtëzakonshme për një vit, në vend më pas u arrestuan shumë zyrtarë dhe drejtues të tjerë të partisë në pushtet, përfshirë edhe ministren e Jashtme, njëherësh lideren e vendit, Aung San Suu Kyi.

Ndërkohë Turqia dënoi grushtin e shtetit ndërsa kritika dhe reagime të ndryshme erdhën edhe nga vendet perëndimore.

Qytetarët e Mianmarit me 6 shkurt filluan protestat kundër grusht shtetit me kërkesën për kthimin në demokraci. Në ndërhyrjet e armatosura të forcave të sigurisë kanë humbur jetën 56 protestues.

Në vend vazhdojnë protestat me pjesëmarrje të gjerë dhe gjykimet në gjykatat ushtarake për zyrtarët e nivelit të lartë nën arrestim.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re