Ambasadorja Amerikane Yuri Kim tha gjatë një interviste në emisionin “Opinion” se SPAK ka bërë shumë përparim, ndërsa kërkoi nga mediat të jenë më të guximshëm për të raportuar dhe për të folur për ngjarje të mëdha.

Kim ju referua një rasti verën e shkuar, ndërsa tha se një një çështje e madhe, që përfshinte trafikun e drogës dhe kishte lidhje me median dhe biznesin nuk u trajtua nga gazetarët dhe mediat.

Ambasadorja tha se në vitin 2020 pati 746 persona që u hetuan nga SPAK dhe në tremujorin e 2021 janë në hetim 246 persona. “Nuk mund të ndjekësh çdo çështje, por ajo që është e rëndësishme është që nga ato çështje që SPAK ka çuar në gjyq, kanë pasur sukses në 90% të rasteve”, tha ndër të tjera Kim.

Pjesë nga intervista në studio

Blendi Fevziu: Ambasadore, numrat janë numra, nuk po them gjë për numrat, por problemi është tek rastet konkrete, shembujt e mëdhenj që publiku nuk po i sheh ende. Le të themi, të mëdhenjtë, personat e rëndësishëm, personat me pushtet, këta nuk janë ende nën hetim.

Ambasadorja Kim: Shiko, nuk mund…

Blendi Fevziu: …sepse njerëzit, lidhur me reformën në drejtësi, kishin parasysh peshqit e mëdhenj, po përdor këtë term të vjetër, që do të hetoheshin. Megjithatë, deri tani, nuk kemi emra të mëdhenj, të fuqishëm nën hetim…

Ambasadorja Kim: Do të jem e drejtpërdrejtë siç jam zakonisht. Mendoj se jeni keqinformuar…

Blendi Fevziu: Pse…

Ambasadorja Kim: …dhe mendoj se po përsërisni diçka që është e rreme. Ka pasur çështje të mëdha që janë shpallur…

Blendi Fevziu: Për shembull?

Ambasadorja Kim: …dhe ju nuk flisni për to. Nuk do t’i përmend me emër sepse nuk dua të ndërhyj në çështje në vazhdim…

Blendi Fevziu: Raste të mëdha për të cilat nuk flet media?

Ambasadorja Kim: Po. Për shembull, verën e shkuar, u shpall një çështje e madhe, e cila përfshinte trafikun e drogës që ka një lidhje me median dhe biznesin.

Ju nuk flisni për të dhe pastaj të gjithë pretendoni që nuk po ndodh asgjë. Ka prokurorë, ka mjekë, ka të tjerë që po hetohen. Tani, nëse më thua që askush nuk do ta besojë deri sa politikani më i madh apo, kushdo tjetër, të jetë në burg, mendoj që po injoroni faktet dhe vazhdoni  propagandën.

Thjesht nuk është e vërtetë që nuk ka përparim. Në fakt, ka pasur përparim të jashtëzakonshëm. Pra, nuk mund të më thuash nga njëra anë që i pranon shifrat e mia, por nga ana tjetër nuk pranon të vërtetën për atë që po ju them.

Blendi Fevziu: Jo, jo, po flas për shembujt e mëdhenj…

Ambasadorja Kim: Pra, nëse do të isha si ju, do t’ju nxisja të kërkoni më shumë dhe të jeni më të guximshëm në raportimin e fakteve se kush nuk po hetohet dhe për çfarë. Mos pretendoni se nuk po ndodh asgjë sepse është shërbim i keq për popullin shqiptar.

Blendi Fevziu: Do të pyes zyrtarisht kreun e SPAK-ut dhe të shohim ç’do ndodhë.

Ambasadorja Kim: Ju lutem bëjeni.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re