Zgjedhjet për kreun e ri të SPAK do të monitorohen nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës me qëllim që pasardhësi i Arben Krajës të mos ndikohet nga pushtetarët që kanë interesa të kufizojnë hetimet apo t’i manipulojnë ato

 

Ky ka qenë mesazhi i ambasadores amerikane në Tiranë, Yuri Kim, e cila thekson se gjatë ditëve të fundit ka zhvilluar takime me të gjithë anëtarët e Këshillit të lartë të prokurorisë për të nënvizuar rëndësinë e këtyre zgjedhjeve.

 

YURI KIM – AMBASADORE E SHBA, TIRANE

“Gjatë javës së fundit jemi takuar me çdo anëtar të Këshillit të Lartë të Prokurorisë (KLP) për të nënvizuar rëndësinë e zgjedhjes së një kreu të ri të SPAK, i cili do të intensifikojë luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, pa frikë apo favore. Procesi i përzgjedhjes nuk duhet të ndikohet nga ata që kanë interes të kufizojnë ose manipulojnë hetimet. Ky është thelbi i reformës në drejtësi: drejtësia duhet të jetë e verbër ndaj pushtetit, prokurorët e gjyqtarët duhet t’i trajtojnë të gjithë si të barabartë para ligjit, institucionet duhet të jenë të pavarura.

 

Diplomatja nënvizon se reforma në drejtësi është kërkesë e popullit shqiptar e për këtë arsye Uashingtoni do të mbështesë zbatimin e saj për t’u siguruar që nuk do të ndalet.

 

Reforma në drejtësi nuk është vetëm një kusht për anëtarësimin në BE; është kërkesë e drejtë e popullit shqiptar. SHBA do të qëndrojë gjithmonë me popullin e Shqipërisë. Ne do të vazhdojmë të mbështesim me vendosmëri zbatimin e reformës në drejtësi. Kjo nuk do të ndryshojë. Do të monitorojmë nga afër procesin e përzgjedhjes për SPAK për t’u siguruar që reforma në drejtësi të ecë përpara.

 

Qëndrimit të ambasadores i është bashkuar edhe kryeministri Edi Rama. Kreu i qeverisë u ka kërkuar anëtarëve të Këshillit të Lartë të prokurorisë që të mos dëgjojnë askënd përveç kandidatëve dhe të mos influencohen.

 

EDI RAMA – KRYEMINISTER

Jam plotësisht dakord me shtetet e bashkuara  dhe boll me thashethemet e katundit politik e mediatik!  Kreun e SPAK s’e zgjedh as qeveria, as foltorja vulorja fallxhorja, as ambasada jo e jo, po një institucion i quajtur Këshilli i Lartë i Prokurorisë, që varet vetëm nga anëtarët e vet!

Prandaj anëtarët e KLP të mos dëgjojnë askënd përveç kandidatëve,të mos lexojnë asgjë përveç biografisë profesionale të kandidatëve, të mos influencohen nga askush përveçse nga profili e perfomanca e kandidatëve! Ata japin llogari vetëm para pasqyrës së tyre dhe askujt tjetër.

 

Zgjedhjet për kreun e ri të SPAK do të mbahen në 16 dhjetor, ndërsa në garë janë prokurorët Adnan Xholi, Altin Dumani dhe Edvin Kondili.

 

YURI KIM NUK I NDAHET SPAK

 

“DREJTUESI I RI TE MOS NDIKOHET NGA PUSHTETARE QE DUAN TE MANIPULOJNE HETIMET”

 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re