-Zaev, Rama, Vuçiç ftojnë Kosovën që të bashkohet me nismën për bashkëpunim të thelluar rajonal 

Udhëheqësit e Serbisë, Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut – Presidenti Aleksendar Vuçiç, Kryeministrat Edi Rama dhe Zoran Zaev, zhvilluan pak ditë më parë një video-konferencë për rifillimin e nismës për bashkëpunimin e thelluar rajonal që u prezantua vitin e kaluar.

Veprimtaritë e nismës për bashkëpunimin e thelluar rajonal u shtynë për shkak të pandemisë Covid-19 dhe zgjedhjeve në Maqedoninë e Veriut dhe Serbi. Tre udhëheqësit ranë dakord se kriza e ka theksuar nevojën për intensifikimin e mëtejshëm të bashkëpunimit të ndërsjellë dhe integrimit ekonomik rajonal.

Gjatë takimit online, Presidenti Vuçiç dhe Kryeministrat Rama dhe Zaev theksuan se nisma është në përputhje të plotë me Procesin e Berlinit dhe përbën një bazë të mirë për përgatitjen e vendeve të Ballkanit Perëndimor për takimin e ardhshëm mbi Ballkanin Perëndimor, që do të mbahet në nëntor në Sofje. Këtë vit, Bullgaria dhe Maqedonia e Veriut janë bashkëkryesuese të Procesit të Berlinit.

Udhëheqësit e Serbisë, Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut ranë dakord se është shumë e rëndësishme që në nismën për bashkëpunim të thelluar rajonal të marrin pjesë të gjashta vendet e Ballkanit Perëndimor.

Ata ftuan zyrtarisht Kosovën që të bashkohet me nismën për bashkëpunim të thelluar rajonal.

Ftesa vjen në vijim të kuadrit të përcaktuar në takimin e Uashingtonit në shtator të këtij viti midis Presidentit serb, Aleksandar Vuçiç dhe Kryeministrit të Kosovës, Avdullah Hoti.

Presidenti Vuçiç dhe kryeministrat, Rama dhe Zaev ranë dakord po ashtu të ngrenë një grup të përhershëm pune, që do të përfshijë përfaqësues zyrtarë nga secili prej vendeve, me qëllim përshpejtimin e zbatimit të veprimtarive, për të cilat është rënë dakord në kuadrin e nismës së bashkëpunimit të thelluar rajonal.

Udhëheqësit ranë dakord se nisma e bashkëpunimit të thelluar rajonal mund të përdoret për identifikimin e projekteve të përbashkëta në infrastrukturë për agjendën e zhvillimit të rajonit, në përputhje me Paketën Ekonomike e të Investimeve të BE-së për Ballkanin Perëndimor.

Po ashtu, tre liderët u dakordësuan të thellonin bashkëpunimin dhe të linjëzojmë politikat në lidhje me shëndetin publik në kontekstin e luftës kundër Covid-19.

Tre udhëheqësit thanë se shpresonin që, së shpejti, edhe qeveritë e Malit të Zi dhe Bosnje-Hercegovinës do të mund t’i bashkoheshin nismës. Kështu, mund të arrihet një bashkëpunim më i mirë ekonomik midis të gjitha vendeve të rajonit, çka do të sillte si rezultat rritjen e lirive, tregtisë dhe përgjithësisht, standarde më të mira jetese për të gjithë popujt e rajonit. 

***

-Një shqiptar nga Shqipëria, vullnetar në punimet e kërkim-shpëtimit në Izmir

Në mesin e shtetasve të huaj vullnetarë që tregojnë përpjekje për kërkimin dhe shpëtimin e personave në rrënojat e shkaktuara nga tërmeti në Izmir është i përfshirë edhe një shqiptar nga Shqipëria, i cili ka thënë se: “Është radha jonë për ndihmë”.

Pas tërmetit 6.6 ballë që ndodhi më 30 tetor në brigjet e rajonit Seferihisar të qytetit Izmir në Turqi, në qytet mbërritën ekipe të shumta zyrtare dhe nga shoqëria civile për kërkime.

Në mesin e këtyre tërheq vëmendjen ekipi i kërkim-shpëtimit të Fondacionit të Ndihmës Humanitare për të Drejtat dhe Liritë e Njeriut (İHH) në të cilin ndodhet personeli dhe vullnetarë me shtetas të huaj.

Ekipi ku janë të përfshirë shtetas nga Shqipëria, Siria, Egjipti dhe Afganistani, merr pjesë me përkushtim në punimet e kërkim-shpëtimit për personat që ndodhen nën rrënoja.

Nga ana tjetër, vazhdon solidariteti me Turqinë, pas tërmetit që ra të premten e kaluar në Izmir.

Fondacioni ALSAR në një mesazh ngushëllimi citon: “Me trishtim të madh po ndjekim situatën e vështirë që po kalon Turqia , ku si pasojë e tërmetit humbën jetën tragjikisht qindra njerëz dhe qindra të tjerë janë lënduar dhe janë shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale.

Me hidhërim të thellë i shprehim ngushëllimet më të ndjera familjarëve që humbën njerëzit e dashur, duke i uruar shërim sa më të shpejtë të plagosurve, dhe shpëtim atyre që janë ende nën rrënoja.

Me këtë rast i drejtohemi me lutjet tona Allahut të Madhëruar që t’i dhurojë popullit turk paqe, mëshirë e qetësi shpirtërore, si dhe forcë e durim për të përballuar këtë sprovë dhe pasojat e kësaj fatkeqësie natyrore”.

***

-Autoritetet shtetërore të Shqipërisë reagojnë për sulmin terrorist në Vjenë

Presidenti i Republikës, Ilir Meta ka dënuar sulmin terrorist në Vjenë mbrëmjen e së hënës.

“Mendimet dhe lutjet tona shkojnë për familjet e viktimave dhe njerëzit e Vjenës. Ne qëndrojmë me vendosmëri me aleatët tanë austriakë dhe ndërkombëtarë në luftën kundër terrorizmit”, u shpreh Meta.

Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi, dënon aktin terrorist në Vjenë duke u shprehur se “barbaria goditi një pavion të qytetërimit”.

“Terroristët sulmuan mbrëmë një ndër qytetet më të bukura të botës dhe një ndër pavionet e civilizimit, Vjenën. Cilat do qofshin motivet e këtij sulmi terrorist, ato tregojnë se qytetërimi është ende i kërcënuar nga barbaria dhe se përpjekjet e njerëzimit për tolerancë, paqe e siguri vazhdojnë të sfidohen nga impulset e errëta. Këto akte po dëmtojnë përpjekjet e popujve, komuniteteve e qytetarëve për të mbrojtur jetët njerëzore nga pandemia, i bëjnë jetët e tyre më vulnerable, dhe na ndihmojnë të dallojmë më qartë ata që ndërtojnë e sakrifikojnë në emër të dashurisë dhe ata që godasin e masakrojnë në emër të urrejtjes”, u shpreh Ruçi.

Kryeministri Edi Rama ka dënuar sulmin terrorist në Vjenë.

Me anë të një mesazhi në rrjetet sociale drejtuar kancelarit austriak Sebastian Kurz, Rama është shprehur, “zemërthyer nga sulmi terrorist në Vjenë që është edhe më shumë sot zemra e Evropës sonë”.

“Mendimet dhe lutjet tona janë me viktimat dhe familjet e tyre”, ka theksuar Rama.

“Vlerat tona të përbashkëta do të jenë gjithmonë më të forta se çdo ekstremizëm i dhunshëm”, ka shtuar kryeministri Rama.

“Ne qëndrojmë të vendosur me Austrinë”, ka përfunduar Rama.

Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka reaguar në lidhje me sulmin terrorist në Vjenë.

“Dënoj ashpër sulmin terrorist frikacak kundër jetëve të pafajshme në Vjenë.  Mendimet dhe lutjet e mia janë me familjet e viktimave. Shqipëria qëndron fort në solidaritet me popullin dhe autoritetet austriake”, u shpreh Basha.

***

-Në Tiranë u zhvillua Forumi Ballkanik kundër Antisemitizmit

Sekretari amerikan i Shtetit, Michael Pompeo ka vlerësuar Forumin Ballkanik kundër Antisemitizmit që u zhvillua në Tiranë, dhe ka shprehur kënaqësinë që ka qenë pjesë e këtij takimi si mundësi për të nderuar trashëgiminë e Shqipërisë.

“Krenar që iu bashkova virtualisht Forumit Ballkanik kundër Antisemitizmit, 2020 në Shqipëri – një mundësi e rëndësishme për të nderuar trashëgiminë e Shqipërisë në liritë dhe harmoninë fetare dhe përpjekjet e rajonit të Ballkanit për të luftuar antisemitizmin. Ne ndajmë të gjithë përgjegjësi për këtë”,shprehet Sekretari amerikan i Shtetit, Michael Pompeo në një postim në Twitter.

Ndërsa nga ana e tij, kryetari i grupit parlamentar të PS-së Taulant Balla ka përshëndetur qëndrimin e Sekretarit amerikan të Shtetit, Michael Pompeo të cilin e falënderon për pjesëmarrjen dhe mesazhin në Forumin Ballkanik kundër Antisemitizmit.

Balla thekson se ruajtja e hebrenjve nga nazistët ishte një çështje nderi kombëtar.

“Ruajtja e hebrenjve nga tmerret e nazizmit nuk ishte thjesht një akt i jashtëzakonshëm heroizmi gjatë Luftës së Dytë Botërore, por një çështje e nderit kombëtar, duke qëndruar në këmbë për atë që do të thotë të jesh shqiptar”, shprehet ai.

***

-Bashkimi Evropian: Shqipëria më afër se kurrë për fillimin e negociatave të pranimit

Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Çështjet e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë njëkohësisht zëvendëspresident i Komisionit Evropian, Josep Borell zhvilloi një telefonatë me kryeministrin Edi Rama.

Përfaqësuesi i Lartë përshëndeti angazhimin e kryeministrit Rama për ta çuar Shqipërinë përpara në rrugën e saj të anëtarësimit në BE dhe përparimin vendimtar për plotësimin e kushteve të vendosura nga konkluzionet e Këshillit të marsit 2020, që vendi është drejt përmbushjes, në funksion të Konferencës së Parë Ndërqeveritare.

“Me Shqipërinë më afër se kurrë për fillimin e negociatave të pranimit në BE, Përfaqësuesi i Lartë nënvizoi nevojën për të vazhduar kryerjen e reformave kryesore të përcaktuara nga Këshilli. Kontributi i të gjitha forcave politike do të jetë i dobishëm për ta çuar vendin drejt hapit të radhës”, thuhet në njoftimin për medie të publikuar në faqen zyrtare të delegacionit të BE-së në Tiranë.

Në lidhje me politikën e jashtme, Përfaqësuesi i Lartë Borrell vlerësoi harmonizimin e vazhdueshëm të Shqipërisë me pozicionet e politikës së jashtme të BE,

***

-ALSAR rihapë në Tiranë kurset e mësimit të gjuhës turke 

Fondacioni “ALSAR” rihap kurset e mësimdhënies së gjuhëve të huaja turqisht dhe anglisht për vitin shkollor 2020 – 2021, në përmbushje të programit dhe misionit të tij arsimor në kuadër të ofrimit të asistencës shumëplanëshe ndaj fëmijëve jetimë.

Në funksion të këtij programi janë ngritur 4 kurse me një pjesëmarrje të përgjithshme të 100 fëmijëve.

Kurset drejtohen nga profesorë të aftë dhe të specializuar që të punojnë me këtë grupmoshë dhe metoda bashkëkohore të ndërthurura me programe audio-vizivë për t’i bërë këto kurse sa më atraktive dhe të plotësuara me elemente që lehtësojnë përvetësimin e dijes në mënyrë sa më efikase nga kjo grupmoshë.

Këto kurse ofrohen falas, ato zhvillohen në oraret e pasdites në mënyrë që të mos e pengojnë frekuentimin e shkollës nga ana e nxënësve si dhe të mos i pengojnë ata pasdite për përgatitjen e mësimeve apo detyrave të shkollës.

Këta fëmijë nëpërmjet këtyre kurseve marrin një formim shtesë në lëndët përkatëse që do t’iu shërbejnë atyre në jetë, dhe do të jenë gjithashtu dhe elementë formues ndihmës, nëse do të duan të vazhdojnë studimet e tyre jashtë Shqipërisë, në programet e studimit të ciklit të mesëm apo të lartë.

-Përgatiti për TRT Shqip, Arben HALLUNI, Shqipëri-

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re