Kryeministri i Maqedonisë Veriore, Zoran Zaev, ka thënë se Shkupi nuk do të lejojë, siç tha ai, që gabimi historik të Bashkimit Evropian për të vonuar negociatat e pranimit me Maqedoninë Veriore dhe Shqipërinë, të rihapin problemet në vendin e tij, si dhe në rajon.

“Ne mbetemi të zhgënjyer, të zemëruar dhe pak të irrituar sepse kemi marrë premtimin e BE-së që kur të përmbushim tonën, ata do të përmbushin të tyren. Në këtë pikë ata kanë dështuar”, i tha ai Politico-s.

Portali i Brukselit thotë se pasojat e refuzimit të BE-së nga muaji i kaluar mund të ndjehen jo vetëm në Maqedoninë Veriore dhe Shqipërinë, por kudo në Ballkanin Perëndimor dhe më gjerë.

Zaev kujtoi se Ballkani ishte një “bombë” jo shumë kohë më parë.

“Ne nuk duam të lejojmë një gabim të tillë historik, për të inkurajuar nacionalizmin, radikalizmin, populizmin, e të që të rihapen problemet ndëretnike këtu, në vendin tim, por edhe në rajon e me gjerë”, tha Zaev.

Politico kujton se vetë Presidenti francez Emmanuel Macron nuk kundërshtoi bisedimet e anëtarësimit në BE për Maqedoninë Veriore, një vend me rreth dy milion njerëz, në një samit në Bruksel muajin e kaluar, por që ai ishte forca shtytëse e vendimit për një “Jo”.

Udhëheqësi francez argumentoi se BE-ja duhet të reformohet para se të zgjerohet me anëtarë të rinj, dhe bëri thirrje për rishikim të procesit të pranimit, për të cilin u ankua për mungesë transparence.

Mënyra se si Macron foli për rajonin është, sipas Politico-s, e dhimbshme për udhëheqësit e tjerë të Ballkanit Perëndimor.

Zaev tha se përkundër vendimeve të BE-së, ai do t’i qëndrojë Marrëveshjes së Prespës me Greqinë për të ndryshuar emrin e Maqedonisë.

“Është një marrëveshje e mirë, mjaft e drejtë për të dy palët. Realizimi duhet të vazhdojë sepse sjell përfitime për të dy palët”, tha Zaev.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re