Rusia është e gatshme të diskutojë mënyrat e daljes nga kriza në marrëdhëniet me Bashkimin Evropian (BE), por nuk sheh reciprocitet, tha sot zëdhënësja e Ministrisë së Punëve të Jashtme ruse, Maria Zakharova.

Në një intervistë për të përditshmen ruse “AiF”, Zakharova tha se thirrjet e BE-së drejtuar Moskës dhe Kievit për fillimin e bisedimeve të paqes janë vetëm retorikë, duke theksuar se të gjitha veprimet e BE-së, përfshirë ndihmën ushtarake për Ukrainën, kanë për qëllim përshkallëzimin dhe jo uljen e tensioneve.

Zakharova e shpjegoi ndryshimin në retorikën e BE-së nga “fitore në fushën e betejës” deri në “gjetjen e një zgjidhjeje në tryezën e bisedimeve” me pakënaqësinë në rritje të qytetarëve të BE-së, të cilët nuk janë të kënaqur me deklaratat e liderëve që ia atribuojnë të gjitha problemet Rusisë.

“Qytetarët e zakonshëm të Evropës janë gjithnjë e më shumë të lodhur nga retorika e vazhdueshme konfrontuese dhe akuzat e pafundme të pabaza kundër Rusisë. Ka gjithnjë e më shumë kërkesa për përfundimin e konfliktit në Ukrainë dhe stabilizimin e brendshëm në vendet anëtare të BE-së. Lajmet për sanksione të reja ose thirrje të rregullta për ndëshkim ekonomik të Rusisë janë bërë të tmerrshme për vetë evropianët. E vetmja rrugëdalje për njerëzit që janë të ngrirë, të privuar nga puna dhe perspektiva është t’u drejtohen liderëve të tyre me kërkesa për të ardhur në vete”, tha ajo.

“Megjithatë, liderët e BE-së nuk e dëgjojnë zërin e arsyes, pavarësisht se e kuptojnë se rehatia, stabiliteti, siguria dhe zhvillimi progresiv i BE-së, që mbeti në të kaluarën, sigurohet përmes energjisë dhe ndërveprimeve të tjera të ndryshme me Rusinë”, tha zëdhënësja Zakharova.

“Sa na përket neve, ne jemi të hapur për të diskutuar mënyrat e daljes nga kriza aktuale. Megjithatë, është e rëndësishme që çdo propozim të marrë parasysh situatën aktuale në terren dhe të kenë më shumë vlerë për vendin tonë”, tha ajo.

Burimi: AA

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re