Në thuajse gjashtë dekada punë si orëndreqëse, 72-vjeçarja Aneta Diamanti e tregon historinë e jetës me Tik-Tok-un e orëve që ka riparuar.

 

ANETA DIAMANTI

ORËNDREQËSE

 

“Unë e kam filluar këtë zanat në moshën 15-vjeçare, kam 57 vjet që punoj pa ndërprerje. Kisha dëshirë e vullnet dhe arrita që ta mësoj. Në të njëjtën kohë u njoha edhe me bashkëshortin tim, të dy orëndreqës, edhe ai më ka ndihmuar.”

 

Zanatin e ka trashëguar tek djali i saj Alberti, por edhe nipi 8-vjeçar duket se premton për të vazhduar traditën familjare.

 

“Kam dëshirë që të marr dhe një nip, e ka me dëshirë, me pasion, por koha do ta tregojë se është vetëm tetë vjeç.

 

Aneta e përshkruan zanatin si një byzylyk që i jep hijeshi e dobi çdokujt.

 

“Do ta lë atëherë kur të më lerë, po arriti që të më dridhet dora nuk e vazhdoj dot më, sepse janë gjëra shumë të imta dhe i prish orën tjetrit. Kështu që po më la do ta lë.”

 

Edhe pse teknologjia i ka dhënë tregut një tjetër dinamikë përgjatë viteve, Alberti shprehet se nevoja për të riparuar orë ka qenë gjithmonë e pranishme.

 

ALBERT DIAMANTI

ORËNDREQËS

“Më përpara kanë qenë orët manuale, me kurdisje, pastaj u bënë automatike, me kronograf dhe kështu ndryshon, çdo ditë del një gjë e re. Logjika e punës është e njëjta por vetëm se janë më të ngarkuara. Kam mbi 15 vjet që merrem me orët e shtrenjta, këtu tek ne qarkullojnë shumë lloje të ndryshme orësh.”

 

Në hartën e kryeqytetit, hapësirat ku ushtrohen zanatet mbeten pika të vlefshme orientimi drejt krenarisë që të jep puna, pasioni dhe durimi.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re