Skip to content

Zariҫ, diplomati “i pazakontë” i Serbisë në Tiranë

Krerët e shtetit kanë “bërë adetin” këto ditë të takimeve të lamtumirës me ambasadorin serb në Tiranë, Miroljub Zariҫ, i cili tashmë e mbylli misionin e tij në Shqipëri në një moshë 69-vjeҫare dhe ka gjasa që ai të tërhiqet në pension.

Rasti i ambasadorit Zariҫ përbën një fenomen të rrallë jo vetëm diplomatik në Shqipëri. Ai është i vetmi diplomat i një vendi, i cili ka ardhur që në vitin 1990, pra kur u rrëzua sistemi komunist dhe largohet në 2020-n.

I diplomuar për  inxhinieri elektronike, Zariҫ i ka hyrë diplomacisë aktive pasi ka punuar për 11 vjet në ministrinë e Jashtme të Jugosllavisë së asaj kohe në “sektorin e Komunikimit”.

Një departament, që merret kryesisht me çështjet sekrete dhe të shërbimeve. Ky sektor siguron edhe lidhjet elektronike të sigurta të papërgjueshme, por edhe merret me përgjimin e të tjerëve.

Kështu, inxhinieri diplomat Zariҫ, pasi punon në sektorin e “komunikimit”, që flet qartë për specializimin e tij si njeri i shërbimeve, dërgohet në Tiranë, në ambasadën jugosllave ku punon si konsull. Bëhet fjalë pikërisht në kohën kur rrëzohet regjimi komunist dhe kur Shqipëria mbyll izolimin me botën.

Këtë detyrë e mban për 1 vit, e në vitin 1992 rritet në detyrë si i ngarkuar me Punë i Jugosllavisë në Tiranë. Pra një diplomat i komanduar  në krye të ambasadës, por pa titull diplomatik.

Zariҫ qëndron në Tiranë deri në vitin 1995, por më pas e thërrasin në Beograd ku e ngrenë menjëherë në detyrë. Natyrisht kjo gjë ndodh kur dikush punon mirë. Beogradi me Tiranën nuk se patën ndonjë rritje marrëdhëniesh, kështu që puna e diplomatit në Tiranë, ka qenë e vlefshme sipas gjasave për diҫka tjetër.

Përkatësisht ai emërohet si shef i zyrës së vendeve fqinje në ministrinë e Jashtme të Vendit të tij për dy vjet, e më pas dërgohet në Tripoli të Libisë, vend që Beogradi ka pasur gjithmonë marrëdhënie të mira, pas 90-s ka qenë një nga furnizuesit më të mëdhenj me armë të Gedafit.

Zariҫ punon në Libi deri në vitin 2003 dhe thirret në Beograd për tu emëruar zv.shef i zyrës për Rusinë dhe Euroazinë në ministrinë e Jashtme. Është pikërisht koha kur Rusia e Putinit fuqizohet shumë dhe nis një ofensivë diplomatike për rritjen e influencës në Ballkan. Në zyrën për Rusinë, Zariҫ merr edhe gradën “Ambasador Fuqiplotë”.

Dy vjet më vonë, në vitin 2005 ridërgohet në Tiranë si shef i misionit diplomatik, ku nuk ka lëvizur deri ditën e sotme pra 15 vjet.

Një ambasador e ka mandatin përgjithësisht 3 vjet, por Zariҫ ka qëndruar duke kombinuar rolet herë si konsull, herë si i ngarkuar me punë dhe vetëm në vitin 2010 është emëruar ambasador.

Post që e ka mbajtur për 10 vjet-sërish një rast i pazakontë për një diplomat. Në Shqipëri, thuajse në të gjithë selitë diplomatike, krerët e misioneve nuk kanë qëndruar më shumë se 3 vjet. Përjashtim bëjnë rastet kur pas punës si diplomat i një vendi vijnë për të përfaqësuar organizata ndërkombëtare, siҫ është rasti i Kreut të Misionit të OSBE-së në Tiranë, Bernd Bochardt.

/shqip