Zbardhen detaje të reja nga hetime lidhur me atentatin e 17 prillit ne Lunder, ku u qëllua me brershëri plumbash ndaj mjetit me të cilin udhëtonin dy djemtë e pronarit të Pelikani Security.
Grupi hetimor ka përftuar ADN mikse pas analizave laboratorike dhe po bëhen krahasimet. Por nga u përfituan këto ADN? Burime nga grupi hetimor bëjnë me dije se në vendin e ngjarjes ku ishin fshehur autorët janë gjetur disa sende si: çanta, doreza dhe pinca. Dyshohet se janë përdorur për të prerë telin e rrethimit ku ishin fshehur me motor.
Po ashtu hetuesit janë fokusuar te këqyrja e kamerave të sigurisë jo vetëm ditë e ngjarjes, por shumë ditë para ngjarjes pasi kanë dyshime dhe informacione se autorët kanë lëvizur me motor për disa ditë rreth vendit të ngjarjes por edhe në zonën e Lundrës, ku kanë studiuar terrenin. Janë përftuar të dhëna të rëndësishme për grupin hetimor. Po bëhet analizimi i provave të mbledhura deri më tani.
DINAMIKA E ATENTATIT NË TIRANË
Një festë ditëlindje për pak e kthyer në tragjedi! Katër të rinjtë që ranë pre e një atentati mafioz në Tiranë, raportohet se kishin shkuar në Pjezë të Shijakut për të festuar te pista e garave sepse 11-vjeçari Dior Demiraj kishte ditëlindjen.
11-vjeçari, vëllai i tij Marko Bardhi Demiraj, 17-vjeç, si edhe shoku i tyre, Kian Mullahi, 17-vjeç (i cili studion në Londër dhe sapo ishte kthyer në vendin tonë një ditë para ngjarjes për Pashkët) shoqëroheshin në automjetin tip G Class nga Arens Stafa, 34-vjeç, shoferi i familjes dhe pronarit të “Pelikani Security”.
Tre të rinjtë janë shokë me njëri-tjetrin edhe komshinj prej kohësh pasi i kanë banesat në Lundër ngjitur me njëri-tjetrin te Rolling Hills, ndërsa makina me targë AB002MD ishte në pronësi të Vesel Demiraj.
Ata janë dërguar në Pjezë tek pista e garave nga shoferi i “Pelikani Security”, Arens Stafa, ku të rinjtë pasi kanë festuar atje, janë kthyer për në Lundër te banesat e tyre ku do të festonin edhe ditëlindjen e 11-vjeçarit me familjarët.
Gjatë kthimit janë dalë në Unazë për të udhëtuar drejt Lundrës, por kur janë futur te rrethrrotullimi i Shkozës rreth orës 21: 30, për vijuar ecjen në autostradë, një automjet tjetër tip fuoristradë i ka zënë në pritë.
Fuoristradë iu është afruar G Class dhe ka nisur të qëllojnë me breshëri në drejtim të tyre deri te Agropark (Tregu Agro Ushqimor) ku ka qenë pika kulminante e të shtënave me armë.
Shoferi i G-Class është munduar t’i shmanget të shtënave dhe ka arritur të çojë makinën deri në Lundër për të mbërritur te banesat e tre të rinjve.
Por, gjatë tentativës për t’u larguar automjeti, si pasojë e të plumbave të shumta më armë, nuk i kanë mbajtur frenat dhe është përplasur në vendin ku edhe u gjet makina tip G Class. Kanë qenë njerëz të rastësishëm që kanë kaluar në atë rrugë dhe kanë parë automjetin.
Raportohet se familjarët e të plagosurve nuk kanë qenë në dijeni dhe janë lajmëruar nga policia rreth 1 orë pas ngjarjes.
Hetuesit kanë marrë deklarimet e para të të rinjve të plagosur pas ngjarjes të cilët të tronditur kanë deklaruar se nuk kanë asnjë konflikt dhe po ashtu edhe ditën e djeshme nuk kanë pasur asnjë sherr. Të rinjtë s’kanë asnjë precedent, po ashtu edhe shoferi i tyre.