Konflikti për një pronë në hyrje të Kepit të Rodonit në Durrës ka bërë që shumë persona nga dy palë të përfshihen në përleshje me njëri-tjetrin, madje sherri është shoqëruar edhe me të shtëna armësh.

Burime nga vendngjarja bëjnë të ditur se Bajram Koculi, banor i fshatit Shetaj ka një pronë në hyrje të Kepit të Rodonit, ngjitur me rrugën ku po kryhen punime për rrethimin e zonës që është pronë e kishës franceskane. Punimet po kryhen nga një shoqëri private, por disa ditë më parë ato janë bllokuar nga IMT e Durrësit në bashkëpunim me policinë e Manzës dhe struktura të tjera vendore.

Shtetasi Bajram Koculi pretendon se rrethimi që po kryhet ka hyrë në pronën e tij dhe për këtë arsye ka nisur konflikti kohë më parë. Ditën e djeshme palët janë konfliktuar sërisht, ndërkohë që i pranishëm ka qenë edhe ish deputeti Mark Frroku. Burime bëjnë me dije se Frroku është përfshirë në konflikt, si miku i përfaqësuesve të firmës e cila pretendon të ndërtojë në të njëjtën sipërfaqe dhe kisha franceskane thotë se prona i përket asaj.

Policia ka arrrestuar 8 vetë gjithsej, katër nga secila palë që u përfshinë në konflikt, ndërkohë që SPAK ka nisur hetimet për këtë konflikt pasi dyshohet se ka mbivendosje pronash.

Të arrestuar janë Bajram Kaçuli, Erjon Reka, Orgito Reka, Ylli Reka, Mark Frroku, Antonio Lazari, Pal Doda, Martin Lazeri.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re