Policia e Tiranës ka finalizuar një tjetër operacion hetimor për zbardhjen e rasteve të vjedhjeve në banesa dhe lokale, duke identifikuar tre autorë të dyshuar. Dy prej tyre janë vënë në pranga, ndërsa një 21-vjeçar është shpallur në kërkim.
Në kuadër të hetimeve të kryera nga Komisariati i Policisë Nr. 6, në bashkëpunim me Komisariatin Nr. 2, është bërë e mundur dokumentimi i autorësisë në katër raste vjedhjesh. Konkretisht:
Në pranga ka rënë shtetasi E. D., 20 vjeç, dhe është shpallur në kërkim shtetasi E. G., 21 vjeç. Ata dyshohen se gjatë periudhës maj-qershor kanë kryer vjedhje në një banesë dhe në dy lokale, duke marrë para dhe sende me vlerë.
Gjithashtu, është arrestuar shtetasi A. K., 33 vjeç, i dyshuar për vjedhjen e një shume parash në një banesë në fshatin Arbanë, ngjarje e ndodhur një ditë më parë.
Gjatë operacionit janë sekuestruar bizhuteri, një shumë lekësh të dyshuara të vjedhura, si dhe një automjet.
Policia po vijon punën për kapjen e 21-vjeçarit të shpallur në kërkim, si dhe për dokumentimin e plotë të rasteve të tjera që mund të jenë kryer nga këta shtetas.
Materialet hetimore i janë referuar Prokurorisë së Tiranës për veprime të mëtejshme procedurale.