Pak më parë ka përfunduar mbledhja e Këshillit të Sigurimit, të thirrur nga presidenti Bajram Begaj.

 

Mësohet se në këtë mbledhje u diskutuan prioritetet për sigurinë në vitin 2023.

 

Në përfundim të mbledhjes, Begaj e vlerësoi si shumë të rëndësishëm këtë takim dhe angazhimin e të gjitha institucioneve për garantimin e sigurisë kombëtare në fushën e tyre të përgjegjësisë.

 

Presidenti theksoi si të rëndësishëm bashkërendimin, përpjekjet dhe sigurimin e gjithpërfshirjes institucionale, përdorimit efikas të burimeve kombëtare dhe kërkimit të kontributit të çdo qytetari në funksion të sigurisë kombëtare.

 

Presidenti kërkoi që të trajtohen me prioritet procesi i Rishikimit dhe hartimit të dokumentave strategjikë, Strategjisë së Sigurisë Kombëtare, dokumentave strategjike në fushën e  mbrojtjes dhe sigurisë, emergjencave civile, si dhe strategjive sektoriale.

 

Sipas Kreut të Shtetit, këto dokumenta nuk duhet të jenë thjesht dokumenta formalë, duhet të jenë të mirëbuxhetuara dhe sigurojnë përdorimin në mënyrë të koordinuar dhe harmonizuar të instrumentave të fuqisë kombëtare në garantimin e sigurisë, nxisin zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik, rrisin mirëqënien e qytetarëve, dhe sigurojnë mbrojtjen e vlerave dhe interesave kombëtar të Republikës së Shqipërisë.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re