VALENTINA MADANI/ Opozita paralajmëron betejë në dy fronte ditën e enjte, teksa Kuvendi pritet të miratojë kërkesën e SPAKut, që i hap rrugë autorizimit për masën arrest në shtëpi ose me burg ndaj Sali Berishës.

Protesta do të zhvillohet më 21 dhjetor në orën 09:00 para Kuvendit të Shqipërisë. “Opozita e të drejtave të mohuara në aksion” është logo e protestës së thirrur nga Berisha. Në seancën e së enjtes pika e parë që do të trajtohet është shqyrtimi i kërkesës për dhënien e autorizimit nga Kuvendi për arrestimin/heqjen e lirisë së deputetit Sali Berisha nëpërmjet zëvendësimit të masës së sigurisë.

Dy ditë më parë Këshilli i Mandatave miratoi me 6 vota pro kërkesën e SPAK që i hap rrugë arrestimit të Berishës. Me votat e PS-së u bashkua edhe deputeti demokrat Enkelejd Alibeaj. Ndërkohë Klotilda Bushka u caktua relatore, e cila do të hartojë raportin që do t’i dorëzohet seancës plenare. Pas mbledhjes së djeshme të grupit parlamentar, Sali Berisha e Gazment Bardhi ndonëse nuk dhanë detaje mbi strategjinë që do të ndjekin në dy mosbindjet civile brenda e jashtë sallës së parlamentit, folën për një betejë pa kthim të opozitës.

“Ditën e enjte, Shqipëria është para parlamentit. Betejë pa kthim”, deklaroi Berisha. Kurse Gazment Bardhi u shpreh: “Është vetëm dy ditë larg dhe ju do e shihni se çfarë do bëjmë ne”.

Në të njëjtën linjë me ish-Kryeministrin edhe Gazment Bardhi tha se në dosjen e SPAK-ut nuk kishte asnjë provë që përligjte kërkesën e bërë nga organi i akuzës ndaj Sali Berishës, standard i dyfishtë ky që sipas tij u përdor nga shumica në këshill.

“Dosja e ardhur në Kuvend nuk ka asnjë provë dhe për ne është e papranueshme. Dokumentacioni i plotë për Berishën mungon. Zero prova”, deklaroi Bardhi.

Teksa i bëri thirrje SPAK-ut që të ndërmarrë akte vetëm me forcën e ligjit, të enjten ndonëse do jetë në mosbindje civile brenda në sallën e parlamentit, Bardhi dhe deputetët e grupit parlamentar nuk do të marrin pjesë në votim.

PARALAJMËRIMI

Për Sali Berishën, vendimi i marrë nga Këshilli i Mandateve dhe Imunitetit që i hap rrugë arrestit të tij në shtëpi ose me burg është i paligjshëm.

“Unë nuk mund të pranoj të ligjshëm një vendim që merret mbi bazën e një vendimi të paligjshëm. Është abrogimi që i bëjnë ata nenit 73, pika 2. Nuk ka asnjë legjitimitet ky vendim i komisionit Balla-Brava”, tha lideri demokrat. Përpara mediave, ish-kryeministri argumentoi se prokurorët e SPAK, Kraja e Millonai zbatuan urdhrin politik të Kryeministrit Rama, duke e kthyer parlamentin në një noter për të legalizuar vendime antikushtetuese.

“Nuk paraqitën asnjë provë, asnjë fakt të vetëm. Unë mendova që aty do shkojë dosja dhe e vetmja pyetje që iu bë për ndryshimin e distinacionit, ai tha s’jemi këtu për këto”, u shpreh kreu demokrat.

Por a do ta njohë Berisha vendimin e parlamentit, i cili të enjten pritet ta zhveshë nga imuniteti i deputetit për t’i hapur më pas rrugë SPAK-ut që të vendosë masën e arrestit?

“Politikisht qëndron ajo që kam thënë, por nga ana tjetër mendimi që do më përcjellin avokatët ka vlerën e vet të çmuar”, theksoi Sali Berisha.

Prokurori Arben Kraja hodhi poshtë akuzat se kërkesa për arrestimin e Berishës të ishte e nxitur politikisht, por Berisha thotë se ai mashtron.

“Ish-oficeri i policisë sekrete të Enver Hoxhës, kandidati për deputet i PS nuk mund të thotë gjë tjetër veçse mashtrime. Po nuk është politikë të hysh në listat e kandidatëve? Po a nuk ishte armë politike Sigurimi i Shtetit? Ishte arma më politike e Partisë së Punës së Shqipërisë. Më e besuara”, theksoi Berisha.

Ndaj Arben Krajës dhe prokurorit Dritan Prençi, Berisha tha se Partia Demokratike do të ngrejë dy padi penale për amnistinë që sipas tij u kanë bërë Erion Veliajt dhe Ilir Beqajt.

“Kjo padi penale ngrihet kundër Prençit dhe Krajës, sepse Kraja i ka nip dhe mbesë në dy sqetullat e Erion Veliajt. Si mund të bindesh ti që Ilir Beqaj nuk qenka përgjegjës kryesor, kur ka kryer hallkë pas hallke, veprime kryesore për sterilizimin”, u shpreh kreu i PD-së.

Sipas Berishës, prokurorët kanë amnistuar zyrtarë të lartë që kanë firmosur për 1 miliard euro, por që realisht kanë vjedhur 130 milionë euro nga paratë e taksapaguesve.

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re