Dyshohet se ka ikur në drejtim të Kanadasë, ndonëse për herë të fundit, ai ka lënë gjurmë në kufirin grek ditën e premte të javës së shkuar.

Komisioni i mandateve e shtyu për sot në orën 16 rinisjen e seancës për të diskutuar mandatin e tij, ndërkohë që Arben Ahmetaj është kthyer në kryefjalë të ditëve të fundit pas kërkesës së SPAK për arrestimin e tij.

Janë një mori akuzash të bëra publike që lidhen me shtëpi, pasuri, lidhje me biznesmenë të akuzuar për vepra të rënda penale por edhe për shpërdorim detyre, ndërkohë që Ahmetaj mbante poste mjaft të rëndësishme në qeveritë Rama, derisa u emërua edhe direkt zëvendës i kryeministrit.

Por me sa duket hetimi i SPAK e ka kaluar një dekadë në gjurmimin e aktivitetit të Arben Ahmetajt e për pasojë ata kërkojnë heqjen e mandatit dhe hapjen rrugë të arrestimit të tij.

Zyrtarisht asnjë institucion nuk është në gjendje të thotë se ku gjendet momentalisht ish-numri dy i qeverisë, ndonëse edhe avokatët mbrojtës të cilët duket se do të mbeten ‘vetëm’ në betejën ligjore në emër të Ahmetajt, iu thanë deputetëve se klienti i tyre ndodhej jashtë vendi, por pa specifikuar se ku gjendej konkretisht. Ndërkohë SPAK ka vijuar edhe përgjatë së djeshmes të nxjerrë detaje nga dosja voluminoze që kanë hartuar për Arben Ahmetajn.

AKUZAT

Arben Ahmetaj akuzohet nga SPAK se ka përfituar dy vila në Hamallaj e Palasë, tri apartamente e garazhe në Selitë dhe ambiente banimi tek Shallvaret në Tiranë, me partneren aktuale dhe ish-gruan, të cilat nuk i ka deklaruar.

SPAK ka zbardhur transaksionet që si burim kanë pasur pronarët e inceneratorëve, por që ish-ministri ka përfshirë persona të tretë për të shmangur origjinën e përfitimeve, duke kryer veprën e dyshuar pastrim parash.

Fshehja dhe deklarimi i rremë i pasurisë si dhe pastrimi i parave bashkë me korrupsionin, janë akuzat zyrtare të SPAK ndaj ish-zëvendëskryeministrit Arben Ahmetaj. Prokuroria ka identifikuar një seri veprimesh financiare, pagesa dhe transaksione me përfitues final ish-ministrin e Financave partneren e tij aktuale dhe ish-gruan. SPAK pretendon se procedurat janë kryer, duke përfshirë e angazhuar persona të tretë, me qëllim fshehjen e origjinës së vërtetë të këtyre pasurive.

PJESË NGA FASHIKULLI HETIMOR

Albina Mançka dhe Arben Ahmetaj, kanë porositur dhe fituar pronësinë që në vitin 2019, të një vile të identifikuar si vila me nr. 73 ndodhur në “Green Coast”, Palasë, e porositur me kontratë sipërmarrje nga shoqëria “Inerte Express” sh.p.k., me ortak shtetasin Mond Bega, kaluar në vijim, me qëllim të fshehjes së pronarit të vërtetë, shtetases Elda Dinaj, mikeshë e ngushtë e shtetases Albina Mançka.

Kjo vilë nuk është deklaruar ndonjëherë nga Arben Ahmetaj dhe Albina Mançka pranë Inspektoratit të Lartë të Deklarimit, Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave. Ekziston dyshimi i mbështetur në prova se kjo vilë është përfituar me të ardhura që nuk mund të justifikohen me burime të ligjshme.

“Deklarim i rremë i shumes së investuar dhe burimit të saj, për ndërtimin e një pallati të ndodhur tek Shallvaret, me shoqërinë ‘Lani’ sh.p.k. Arben Ahmetaj dhe Albina Mançka në deklaratat e pasurive, shkruajnë se shuma me përafërsi 105 000 euro ka si burim kursimet, kredi bankare dhe shitjen e pjesëve takuese të investimit. Kredia e referuar si burim, ka pasur si qellim blerjen e një apartamenti dhe është disbursuar ne llogarinë tyre me date 24.08.2016, ndërkohe qe pjesa me e madhe e investimit te mësipërm, është kryer ne periudhën janar 2004-korrik 2006″, thuhet në dosje.

SPAK e akuzon Ahmetajn edhe për fshehje të shumes 3 123 880.3 leke, te paguar përgjatë viteve 2019 dhe 2020, ne investimin e bere për rregullimin/punime brenda AIRBN ne katin e dyte, te pallatit te ndërtuar me bashkëinvestitorët shoqërinë “Lani” sh.p.k., shtetasit V.K dhe E.M.

Prokuroria thekson se Ahmetaj fshehu edhe shumën 2007 373 lekë, te paguar gjate viteve 2019 dhe 2020 nga shoqëria “Integrated Technology Services” për rregullimin/punime ne ambientin e brendshëm AIRBN e cila ndodhet ne katin e dyte, te pallatit të ndërtuar me bashkeinvestitoret shoqërinë “Lani” sh.p.k.

AKUZA TJETËR

Akuza tjetër e SPAK për Ahmetajn, lidhet me dy apartamente në Selitë me vlerë mbi 170 mijë euro.

“Fshehja e shumës prej 170 480 euro, në vitin 2016 dhe 2017, dhe deklarimi i rreme i burimit te saj, duke u mbuluar natyra e vërtetë dhe duke u paraqitur si pagesë e bërë shtetasve Albina Mançka dhe Arben Ahmetaj, përkundrejt një ‘shitje’ ndaj shtetasit Andi Boni pagese e kryer në përfundim nga shtetasi Helidon Begaj), të 2 (dy) apartamenteve me sipërfaqe 124.15 m2 dhe me sipërfaqe 148.8 m2 , ndodhur në ZK 3292, në vendin e quajtur Selitë, në pallatin e ndërtuar nga shoqëria ‘Sheron’ sh.p.k., vlerë kjo e paguar në mënyrë të tërthortë nga Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri nëpërmjet shtetasve Andi Boni dhe Helidon Begaj”, thuhet në dosje.

Trualli dhe vila në Hamallaj, tashmë të sekuestruara, janë një episod tjetër në akt-akuzën e SPAK ndaj Ahmetajt.

“Fshehja e pasurisë dhe deklarimi i rreme, truall + ndërtesë me nr. pasurie 1 / 110 me sipërfaqe trualli 521.13 m2 dhe sipërfaqe ndërtese 98 m2 në Hamallaj, e identifikuar si Vila Saphire nr. 22, e përfituar ne vitin 2017, nga shtetasit Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri, në mënyrë të tërthortë, nëpërmjet transaksioneve të kalimit më parë të kësaj pasurie në emër të shtetasit Klodian Zoto, në vijim ne emër te shtetasit Gerian Kuka e më pas në pronësi të shtetases Erjola Hoxha, bashkëjetuese e personit nën hetim Arben Ahmetaj”, thuhet në dosje.

Hetimet kanë zbardhur fshehjen dhe deklarimin e rremë, të shumës totale të shpenzuar për investim në Vilën nr. 22 Hamallaj, pasi Ahmetaj nuk ka deklaruar vlerën reale te shpenzimeve duke fshehur minimalisht shumën prej 137 000 euro të paguar nga shoqëria “Egeu Stone” sh.p.k. që përfshin pjesën e rikonstruksionit, riparimit te këtij objekti (pa përfshirë arredimin).

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re