Kryetari i opozitës, Lulzim Basha do të zhvillojë të hënën një vizitë në Kosovë, ku pritet të takohet me drejtuesit më të lartë të shtetit dhe politikës. Mësohet se vizita e Lulzim Bashës vjen pas ftesës së Kryeministrit të Kosovës, Avdullah Hoti.

Mësohet se në axhendën e kryedemokratit gjatë qëndrimit në Kosovë, ai do të takohet me Kryeministrin Avdullah Hoti, Presidentin Hashim Thaçi, Kryetaren e Kuvendit, Vjosa Osmani si dhe me drejtuesit e partive politike, Vetvendosjes, Lidhjes Demokratike të Kosovës, Partisë Demokratike të Kosovës, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Nismës-Socialdemokrate dhe Aleancës Kosova e Re.

Takimet e Bashës në Kosovë zhvillohet në një kohë të rëndësishme nisur nga zhvillimet e javëve të fundi, ndërkohë që ka rinisur dialogu Kosovë- Serbi, intervistimi në Hagë i presidentit Thaçi por edhe në momentet kur Shqipëria dhe Kosova po përballen me sfidën e menaxhimit shëndetësor por dhe ekonomik të situatës së krijuar nga Covid19.

Burimë  bëjnë të ditur se gjatë takimit me kryeministrin e Kosovës në Tiranë, kryetari i Partisë Demokratike vlerësoi se duhet një bashkëpunim më i ngushtë ekonomik mes Shqipërisë dhe Kosovës.

Bashkërendimi i veprimeve mes dy vendeve është mënyra më e mirë dhe më e suksesshme për të përshpejtuar proceset integruese të të dyja vendeve – theksoi Basha gjatë takimit të zhvilluar në Tirane me kryeministrin Hoti.  Duke risjellë në vëmendje  bashkërendimin e suksesshëm gjatë procesit të pavarësisë së Kosovës dhe njohjes së saj ndërkombëtare, ndërsa theksoi se “është koha për ti vënë në jetë këto përvoja të suksesshme për të mirën e shqiptarëve”.

Kreu i PD e ka bërë të ditur prej kohësh mbështetjen për autoritetet e Kosovës në proçesin e negociatave Kosovë- Serbi ku ka theksuar se përpos normalizimit të  marrëdhënieve, produkti  i këtyre negociatave duhet të jetë njohja reciproke mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë, në respekt të plotë të sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re