DURRES-“Dy djem të rinj, më kapën me forcë dhe me kapele në kokë më rrëmbyen çantën nga krahu”. Kështu deklaroi korrieri, i cili dje pre e një grabitje, ndërsa brenda çantës së tij kishte dokumente nga posta sekrete e Prokurorisë së Durrësit. Ngjarja në fjalë ndodhi në afërsi të rrugës Lumini, lagjja nr. 11.

Gazetarja Klodjana Haxhiaj ka siguruar për ‘BalkanWeb’ dëshminë e korrierit Ilir Kapxhiu, që ka dhënë ky i fundit në polici. Ai ka rrëfyer se pavarësisht tentativës së tij për mos ta lëshuar çantën, ata ia morën me forcë, madje edhe e dëmtuan.

“Sapo kisha marrë postën dhe po ecja në këmbë, kur papritur dy djem më prenë rrugën. Ata ishin me kapele në kokë. Me kapen me force, unë nuk e lëshoja çantën. Njëri nga ata më kapi nga duart, dhe tjetri më mori çantën. Më bënë shenja në krah nga dhuna kur me tërhoqën çantën. Ata menduan se çanta ndoshta ka pasur lekë”, tha Ilir Kapxhiu.

Ndërkohë, policia ka shoqëruar pronarët e dyqaneve në rrugicën ku ndodhi ngjarja për të dhënë dëshminë e tyre në komisariat, ndërsa do të shihen edhe pamjet filmike nga kamerat e sigurisë.

NJOFTIMI I POLICISEMë datë 08.05.2018, rreth orës 10:30-11:00, në lagjen Nr.11, në afërsi të Postës në Durrës, shtetasi I.K., me punë korrier pranë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës është sulmuar nga dy persona të paidentifikuar, të cilët i kanë marrë disa materiale që i kishte tërhequr nga Posta.

Nga ana jonë po punohet intensivisht dhe po kryhen të gjitha veprimet e duhura hetimore në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Durrës me qëllim identifikimin e autorëve, kapjen e tyre dhe zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re