Autori 45-vjeçar i vrasjes makabre të mikut të tij 50-vjeçar, në lindje të Selanikut është akuzuar për vrasje dhe armëmbajtje pa leje. Ai do të qëndrojë në paraburgim deri në pritje të vendimit, sipas mediave greke.

Sipas informacioneve, 45-vjeçari me origjinë nga Shqipëria pretendon se ishte shok me viktimën dhe se mes tyre kishte pasur një sherr. Shkak i sherrit dyshohet se kanë qenë çështje financiare që kanë të bëjnë me viktimën dhe autorin.

Viktima dhe 45-vjeçari, me precedentë penalë, njiheshin me njëri-tjetrin.  Madje, një përleshje çoi në incidentin e përgjakshëm dhe sulmin me të shtëna.

“Kohët e fundit jam kërcënuar me jetë nga viktima. Ka pasur dy incidente të dhunshme ndaj meje nga viktima dhe jashtë karburantit jam sulmuar sërish”, tha ai.

Autori, i cili u dorëzua pasditen e së premtes, rreth orës 16:30, në prani të avokatit të tij, Thanasis Alexopoulos, ka treguar në polici se ku e kishte lënë makinën që po drejtonte mesditën e së enjtes dhe ku e kishte lënë armën me të cilën ka vrarë viktimën.

Sipas informacioneve, i akuzuari ka hematoma dhe të nxira në kokë nga sulmi që ka marrë nga viktima me send jashtë karburantit dhe për këtë është urdhëruar ekspertiza.

Ngjarja e përgjakshme ka ndodhur në orën 12.35 të së enjtes jashtë një karburanti në rrugën Solonos 51. Sapo 50-vjeçari ka ndaluar makinën në pikën e karburantit, autori e ka ndjekur me automjetin e zi që drejtonte dhe ka ndaluar, pa dalë jashtë.

Dy burrat filluan të debatonin dhe viktima iu afrua vrasësit. Në videon tronditëse të regjistruar nga kamerat e sigurisë së karburantit, shihet momenti kur 50-vjeçari i afrohet sulmuesit dhe tenton ta godasë nga dritarja e pasagjerit dhe më pas e qëllon për vdekje.

Viktima, sipas informacioneve, ka marrë të paktën tre plumba në shpatull dhe gjoks duke rezultuar fatal për të.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re