VALENTINA MADANI/ Në orët e para të ditës së djeshme, Sokol Mëngjesi, avokati i ish-kryeministrit Sali Berisha u dhunua fizikisht nga katër persona në zonën e ish-Bllokut ku edhe banon.

Dhunuesit tashmë janë identifikuar nga policia. ndërkohë që detaje të reja janë zbardhur nga ngjarja e rëndë ku u dhunua Sokol Mëngjesi me sende të forta. Bëhet fjalë për çështjen e një prone, ku mësohet se kanë qenë në total 8 trashëgimtarë të përfaqësuar nga avokati Sokol Mëngjesi.

Pasi kanë fituar pronën, një nga 8 trashëgimtarët nuk ka pranuar zbatojë kontratën. Ai që ka refuzuar të paguajë studion ligjore ka qenë Dritan Nano. Në të tilla kushte avokati ka kërkuar të respektohet kontrata që kishin lidhur duke hedhur në gjyq Nanon. Po pasojë të kontratës që kishin lidhur më herët, avokati Sokol Mëngjesi ka arritur që pronën e Nanos t’a bllokojë me përmbarim duke mos lejuar që t’a shisnin.

Dhe dyshohet që vetëm Dritan Nano nuk ka pranuar. I gjendur në këtë situata dyshohet se ka angazhuar lidhjet e tij shoqërore dhe familjare duke kërcënuar avokatin që të tërhiqet nga përqindja që duhet të merrte. Ata i takuan përpara një muaji ku nuk ranë dakord. Çështja për të cilën bëhet fjalë është një truall toke ku rezultojnë pronarë 8 anëtarët, ku momentalisht mbi këtë truall është ndërtuar.

AKUZAT

Sali Berisha paralajmëroi dje Edi Ramën dhe Taulant Ballën, në lidhje me sulmin ndaj avokatit Sokol Mëngjesi. Sipas tij ky është një sulm direkt kundër opozitës!

“Duke i uruar shërim të plotë profesorit të nderuar, Sokol Mëngjesi, i deklaroj Edi Ramës dhe Taulant Ballës se ky është një sulm direkt kundër opozitës. Se do mbajnë çdo përgjegjësi për këtë akt kriminal të shëmtuar.

Për këtë skenar të stisur! Se sot ke goditur një avokat të së vërtetës që të demaskoi ty para shqiptarëve dhe botës me farsën e dosjes tënde ndaj kundërshtarit politik, Sali Berisha. Që të hoqi çdo maskë para shqiptarëve dhe botës të një kryeministri bandit që nuk ke ligj, Kushtetutë dhe moral, por që je një kriminel në krytë protektoratit të krimit në Shqipëri. Miqtë e mi, sot ishte ditë e vështirë sepse një intelektual i shquar u godit në mes të Tiranës. Ftoj intelektualët të bashkohen me ne në protestë sepse secili prej tyre nesër mund të pësojë fate të ngjashme.

A nuk ishte Edi Rama mbrapa Emiljano Shullazit, që kërcënoi kandidatin për rektor me rrëmbim të djalit? Sepse donte t’i jepte tenderin e kampusit të universitetit, Emiljanës së Edi Ramës. Po pse të mos themi ne se është Edi Rama mbrapa grupit të strukturuar kriminal që goditi sot për t’i marrë jetën avokatit Sokol Mëngjesi, si hakmarrje e verbër, primitive ndaj përmbysjes së plotë të dosjes Dumani-Kraja-Melonai, këtyre mercenarëve të shpifur të drejtësisë shqiptare”, – u shpreh Berisha.

Lideri dmeokrat deklaroi se sulmi brutal ndaj avokatit Sokol Mëngjesi është bërë me inkurajimin e Edi Ramës.

“Sokol Mëngjesin, një grup i strukturuar kriminal e sulmoi për ta eliminuar fizikisht. Në fakt ai është në gjendje serioze. Dhe ai sulm me objekte të hekurta, i organizuar nga një bandë me mbështetje, nuk kishte qëllim tjetër veçse eliminimin e tij. Menjëherë pas atentatit ndaj tij në mediat e qeverisë u përhapën lajmet, mashtrimet më të mëdha. Fillimisht se ishte një zënkë e çastit, më pas se ishte çështje prone dhe së fundmi një çështje gjyqi. Unë u them ju një gjë, që është një goditje e mirëfillte politike. Sepse Sokol Mëngjesi po të kishte qenë avokat i Edi Ramës apo Belinda Ballukut, nuk do e kishte prekur njeri me dorë. Por Sokol Mëngjesi, pavarësisht nga preteksti, u godit me inkurajimin madhor të Edi Ramës, Taulant Ballës, mbështetësve kryesorë të krimit në Shqipëri.”

Nga viti 2009, Mëngjesi ka marrë licencën e avokatit nga Dhoma Kombëtare e Avokatisë Shqipëri, ndërsa është edhe një prej mbrojtësve të ish-kryeministrit Sali Berisha. Ai është gjithashtu avokat edhe i Mirel Mërtirit dhe Klodian Zotos në çështjen e inceneratorit të Tiranës. Vajza e ish kryeministrit Berisha, Argita Malltezi e vizitoi në spitalin e Traumës ndërkohë nga Rithemelimi, zëdhënësja Floriana Garo tha se autorët janë urdhëruar nga Edi Rama për të sulmuar avokatin e Berishës, dhe siç thekson – kryeministri do të mbajë përgjegjësi personale për këtë akt.

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re