Janë zbardhur detaje të reja nga dosja hetimore për ish kryeministrin Sali Berisha dhe dhëndrin e tij Jamarbër Malltezi.

 

Për aferën e kompleksit “Partizani”, Malltezi po hetohet nën masën e sigurisë “arrest me burg”, ndërsa në masë sigurie detyrim me paraqitje ortaku i Malltezit, biznesmeni Fatmir Bektashi dhe Sali Berisha. Dy të fundit u është bllokuar pasaporta meqëllim që të ndalohen të largohen jashtë vendit.

 

Bëhet fjalë për një dosje prej 200 faqesh, ku në vendimin e gjykatës thuhet se ekziston mundësia që Berisha të ndërhyjë dhe të ndikojë në prishjen apo asgjesimin e provave, si dhe në krijimin e rrethanave që vështirësojnë mbledhjen e provave, çfarë do të ndikonte në një hetim të mangët për sqarimin e plotë të faktit penal objekt gjykimi.

 

“Për të hetuarin Sali Berisha plotësohet kushti i parë i veçantë i parashikuar nga shkronja “a”, pika 3, të nenit 228 të K.Pr.Penale, pasi ekzistojnë shkaqe të rëndësishme që vënë në rrezik marrjen ose vërtetësinë e provës në funksion të hetimit të kësaj çështjeje. Për faktin e ndodhur po zhvillohen hetime në drejtim të sqarimit të plotë të rrethanave të faktit dhe për shkak të funksionit që ka ushtruar më parë shtetasi nën hetim Sali Berisha në kohën e kryerjes së veprës penale, si Kryeministër i Republikës së Shqipërisë, por edhe funksionit të tij aktual si deputet në Kuvendin e Shqipërisë, shtetasi nën hetim i lartpërmendur, për shkak të marrdhënieve të krijuara si rezultat i ushtrimit të funksioneve të mësipërme dhe influencave që mund të ketë tek persona të tjerë, ekziston mundësia që të ndërhyjë dhe të ndikojë në prishjen apo asgjesimin e provave, si dhe në krijimin e rrethanave që vështirësojnë mbledhjen e provave, çfarë do të ndikonte në një hetim të mangët për sqarimin e plotë të faktit penal objekt gjykimi.” thuhet në vendimin e argumentuar të gjyqtares Irena Gjoka.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re