Komisioni i Venecias ka dërguar ditën e sotme versionin final të opinionit që pritet të miratohet në Qershor, lidhur me debatin midis Presidentit dhe mazhorancës për emërimet në Gjykatën Kushtetuese.
Duke e krahasuar me draft opinionin e muajt Mars, duket që mazhoranca ka ndërhyrë dhe ka arritur ta zbus qëndrimin e Komisionit të Venecias, përsëri konkluzioni mbetet i njëjtë: Presidenti i Republikës kishte të drejtë me emërimin e anëtarëve të GJK.

Zyrtarisht Komisioni i Venecias konfirmon se Presidenti, me aktin e tij të 5 nëntorit 2019, kishte pezulluar procedurën e emërimit para skadimit të afatit 30 ditor të përcaktuar me ligj. Pavarësisht se një pezullim i tillë nuk parashikohet me ligj, ai ishte një reagim ndaj një situate të pasigurisë juridike, e cila nuk mund të zgjidhej në mungesë të Gjykatës Kushtetuese.

Pezullimi tregoi se Presidenti ende dëshironte të ushtronte kompetencën e tij të emërimit, që ai gëzon në bazë të Kushtetutës, dhe këtë e vërtetoi me emërimin e një kandidati menjëherë pas zgjedhjes së kandidatit të Kuvendit.

Nën këto rrethanat, logjika juridike e dispozitës përkatëse nuk u zbatua dhe duket se është e arsyeshme të pranohet emërimi me vonesë i një kandidati të dytë nga Presidenti. Prandaj duket e arsyeshme që Presidenti nuk pranoi të betohej gjyqtari që pretendohej se ishte paracaktuar nga aplikimi i mekanizimit zhbllokues.

Ndryshe nga sa pretendonte Partia Socialiste, në raportin me 22 faqe, nuk evidentohet asnjë shkelje e Kushtetutës dhe ligjit, nga ana e Presidentit të Republikës Ilir Meta. Përkundrazi, Komisioni i Venecias i ka dhënë të drejtë Presidentit edhe për kthimin që i bëri ligjit për procedurën e re të betimit të anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, duke rikonfirmuar se ndryshimet e Partisë Socialiste bien ndesh me Kushtetutën. Kujtojmë këtu që ai projektligj u rikthye për shqyrtim nga Presidenti në Kuvend, gjatë mitingut të datës 2 Mars.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re