Skip to content

Zbardhet letra që PL i drejton Ilir Prodës dhe Ervin Hoxhës: Kush janë emrat e punonjësve të pretenduar të Policisë së Shtetit që arrestuan Ilir Metën

Partia e Lirisë i është drejtuar me një shkresë Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Ilir Proda dhe ministrit të Brendshëm, Ervin Hoxha, ku u kërkojnë informacion për arrestimin e Ilir Metës.

Në një deklaratë, Sekretari i Përgjithshëm i PL-së, Tedi Blushi thotë se duan të kenë informacion se kush janë emrat e punonjësve të pretenduar të policisë, të cilët kryen sipas tij aktin e rëndë ndaj Ilir Metës.

Sipas Blushit, këto dy institucione duhet të kthejnë përgjigje brenda datës 7 nëntor.

“Të na vini në dispozicion brenda datës 07.11.2024 emrat e të gjithë skuadrës së pretenduar policore që më datë 21.10.2024 ekzekutuan Urdhrin për ekzekutimin e vendimit nr. 125, datë 20.10.2024, së Gjykatës së Posaçme e Shkallës së parë Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, lëshuar nga Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, ndaj Z. Ilir Meta, në kundërshtim të hapur me nenin 28 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë dhe nenin 5 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, duke trajtuar Presidentin e Partisë së Lirisë dhe ish-Presidentin e Republikës së Shqipërisë në mënyrë degraduese dhe poshtëruese; 2. Emrat e personave që kanë urdhëruar dhe kanë udhëhequr këtë operacion kriminal”, tha Tedi Blushi.

Blushi thekson ndër të tjera se arrestimi i Ilir Metës është bërë në kundërshtim me ligjin. Ai thotë se nëse nuk i përcillen emrat do të ndiqet rruga e drejtësisë, duke i kallëzuar penalisht.

“Ilir Proda do të jeta ai që do të mbajë përgjegjësi penale dhe ne do ta kallëzojmë për dy vepra penale, moskallëzim krimi dhe shpërdorim detyre”, tha Blushi.

“”