Këshilli i Emërimeve në Drejtësi ka vendosur fillimin e procedurës së vlerësimit, pikëzimit dhe të renditjes së kandidatëve për vendin vakant të Inspektorit të Lartë të Drejtësisë dhe po në të njëjtën ditë ka realizuar edhe intervistat me kandidatët e lejuar për këtë vend vakant.

Ditën e sotme Këshilli i Emërimeve në Drejtësi realizoi diskutimin mbi vlerësimin dhe pikëzimin e kandidatëve të lejuar për Inspektor i Lartë i Drejtësisë.

Ish-Avokati i Përgjithshëm i Shtetit, Artur Metani është renditur i parë në garën për drejtimin e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, institucion i cili pritet të hetojë veprimtarinë e gjyqtarëve dhe prokurorëve.

Këshilli i Emërimeve në Drejtësi i drejtuar nga Ardian Dvorani ka dhënë 89.6 Pikë për Metanin, 10 pikë më shumë se konkurrenti pasardhës.

Në garë janë pesë kandidatë gjithsej, të cilët pak ditë më parë zhvilluan prezantimet e tyre për institucionin e ri të drejtësisë që pritet të ngrihet së shpejti.

Tanimë pritet që Parlamenti të zgjedhë drejtuesin e këtij institucioni që me shumë gjasë do të zgjidhet Artur Metani, duke qenë se është renditur i pari siç ndodhi me garën për kryeprokurorin e Përgjithshëm.

Rezultati paraprak i pikëzimit për secilin kandidat të vlerësuar është si më poshtë:

1. Artur Metani 89.6 Pikë

2. Eris Hysi 78.3 Pikë

3. Joana Asimi Sorraj 82.5 Pikë

4. Lindita Troja 63.4 Pikë

5. Sokol Stojani 89 Pikë

Krahas procesit të punës për zbardhjen e vendimeve të arsyetuara për vlerësimin dhe pikëzimin e secilit kandidat të lejuar, në zbatim të nenit 239 të ligjit nr.115/2016 dhe të pikave 67-74 të Vendimit nr.5 datë 02.04.2019 “ Për kriteret dhe procedurën e vlerësimit, pikëzimit dhe renditjes së kandidatëve për pozicionet vakante në Gjykatën Kushtetuese dhe të Inspektorit të Lartë të Drejtësisë”, në mbledhjen e ardhshme të Këshillit, do të shqyrtohen dhe miratohen:

a) Lista përfundimtare e renditjes së kandidatëve për vendin vakant të Inspektorit të Lartë të Drejtësisë;

b) Raporti i arsyetuar për procedurën e verifikimit, të vlerësimit dhe pikëzimit të secilit kandidat dhe të renditjes së tyre, për vendin vakant të Inspektorit të Lartë të Drejtësisë.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re