Duket se debati për vendodhejn e Nimfeut të humur të Apollonisë së lashtë ka ardhur drejt fundit, teksa tashmë arkeologët e studiuesit kanë gjetur provë tjetër, për të vërtetuar se tempulli i lashtë ndodhej në Frakullin e sotëm.

Kjo skulpturë, e gjetur prej vitesh dhe e mbetur në hije në fondin e Muzeut të Fierit, është dhe çelësi i zbulimit të vendodhjes së Nimfeut. Skulptura paraqet tre nimfa që vallëzojnë mbi flakët.

Dukuria e flakëve lidhet me faktin se në zonat mes Selenicës e Frakullës ka burime të gazit natyror, çka është dhe shpjegimi se përse në shumë të dhëna historike, flitej për zjarre që nuk fikeshin e që madje ishin të rrethuar nga bimësia (një fenomen që për kohën dukej i pabesueshëm).

Profesor Bashkim Vrekaj, shpjegoi në një intervistë për Abc, se skulptura e gjetur në vitet 70’ në Frakull, me të gjitha gjasat i përkiste “Nimfeut”.

“Më shumë po anohet drejt faktit se Nimfeu ka qenë në Frakull. Kjo skulpturë i vë pikën, sepse vjen nga ky vend. Problemi me të dhënat historike me zjarrin ka qenë se meqenëse në Selenicë nxirrej bitum, mendohej se Nimfeu duhet të ketë qenë në Selenicë. Ndërkohë që të gjitha të dhënat e tjera janë për në Frakull.”

E ky tempull i lashtë i Apollonisë, kishte edhe orakullin e tij. Në këtë tempull vinin jo vetëm banorët e Apollonisë, por edhe ata të Bylisit (bylinët), një fakt që studiuesi Vrekaj e tregon edhe me monedhat e kohës.

“Nga Apollonia natën dukeshin flakët. Autorët antikë thonë se pranë këtyre zjarreve kishte bimësi dhe se atje kishte dhe një orakull, e sipas gjuhëtarëve prej orakullit vjen dhe emri Frakull. Vendi trajtohej se i shenjtë, jo vetëm nga apollonianët por edhe nga bylinët. Edhe këta të fundit e kanë trajtuar në monedha.

Po të shohim monedhat e Bylisit, shikon se në disa tregohen zjarre në disa vatra. Ja kjo monedhë paraqiten disa flakë.”-tregon studiuesi.

Skulptura me tre nimfa që vallëzojnë, ishte një gjetje e vitit 78’ sipas drejtuesit të Muzeut të Fierit. Relievi është gjetur në Frakull, njëlloj si shumë gjetje të tjera.

“Në muze kemi dy kolona, njëra është prej graniti. Ajo (kolona granitit) duhet të ketë ardhur nga Italia jugore, dhe kjo tregon se janë hedhur mjete monetare për të goditur një godinë. Detyrimisht duhet të ketë qenë një godinë religjioze. Ne dimë nga  burimet antike se apolloniatët bënin lojëra nimfejane. Në Apolloni ne nuk kemi gjetur stadium dhe unë hedh hipotezën se stadiumi ka qenë pranë Nimfeut (tempullit), pra në Frakullën e sotme.

Nimfeu i Apollonise frekuentohej nga apolloniatët dhe bylinët për pelegrinazh dhe aktivitete sportive.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re