Ndryshimet e bëra në ligjin për kompensimin e pronave, nuk kanë patur thuajse asnjë impakt në përshpejtimin e këtij procesi.

Nga 25 mijë pronarë në pritje për të marrë atë që iu takon, në harkun e një viti (2023) kanë aplikuar vetëm 329 prej tyre. Sakaq, puna e gjithë institucionit është përmbyllur me vetëm nëntë dosje të ekzekutuara, gjysma e të cilave të ardhura si aplikime me kërkesë të veçantë ku shteti është ai që përfiton më shumë se pronari. Një pengesë kryesore kanë qenë betejat ligjore të institucionit që kanë pezulluar procesin e kompensimit. Në raportin vjetor të Agjencisë së Trajtimit të Pronave evidentohet se 2/ 3 e fondit të parashikuar për kompensimin e pronave nuk është ezauruar duke i kaluar fondin e mbetur prej 2.3 miliardë lekësh në buxhetin e Financave.

Ndryshe nga sa mund të thuhet për numrin e aplikimeve, ankesat e regjistruara janë me mijëra. Sipas raportit, brenda një viti janë depozituar 2216 ankesa qytetarësh përmes platformës e-Albania për trajtim dosje me specialistin si dhe kërkesë për statusin dhe problematikat e dosjes.

NDRYSHIMET LIGJORE

Me ndryshimet e bëra në vitin 2022 u rishikua skema e kompensimit për ato familje që preken nga ndryshimi i zërit kadastral. Pra, bëhet fjalë për ato familje që kanë patur një tokë, e cila aktualisht ka statusin e tokës truall por në momentin e konfiskimit rezulton jashtë vijës së verdhë. Në këto raste, ligji përcakton që pronarët të përfitojnë 10 për qind të vlerës së kompensimit. Nga ndryshimet preken edhe ato familje që kanë përfituar më herët një pjesë të pronës, pra iu është kthyer. Nëse me ligjin e mëparshëm këto familje konsideroheshin të kompensuara, me skemën e re do të marrin 10 për qind të diferencës ndërmjet pronës së mbetur dhe asaj të kthyer.

“Agjencia e Trajtimit të Pronave ka konstatuar 3758 vendime me të drejtë kompensimi që preken nga ndryshimet ligjore, fatura financiare e të cilëve arrin në 15 miliardë lekë: nga të cilat: 1025 vendime të njohura për kompensim me vlerë pozitive. Vlera e publikuar për këto vendime para ndryshimeve ligjore ishte 2,209,000,380.13 lekë dhe shkon në 6,897,168,379.95 lekë; 1253 vendime të njohura për kompensim të cilat sipas ligjit nr. 133/2015 konsideroheshin të ezauruara dhe që sipas formulës së re të ligjit, marrin vlerë pozitive. Vlera e publikuar për këto vendime para ndryshimeve ligjore ishte – 49,497,717,941.49 lekë dhe shkon në 10,327,352,689.06 lekë dhe 1480 vendime, për të cilat subjekti konsiderohet i kompensuar (me vlerë negative) dhe rezulton po i tillë edhe sipas formulës së re (thjesht zvogëlohet vlera negative). Vlera e publikuar për këto vendime para ndryshimeve ligjore ishte – 104,234,304,718.19 lekë dhe shkon në – 7,133,468,610.45 lekë”, citohet në raportin e Agjencisë.

Që nga hyrja në fuqi e ligjit të ri të pronave 133/ 2015 deri në dhjetor të 2023, ATP ka ekzekutuar 812 vednime me një vlerë prej 7.8 miliardë lekësh. Krahas vlerës financiare është shpërndarë 717.8 ha tokë nga fondi fizik me një vlerë prej 1,460,359,567.11 lekë.

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re