Të tjera detaje janë zbardhur nga grabitja e një taksisti në zonën e ish-bllokut në Tiranë, ku 4 shtetas nga Gjeorgjia i morën një shumë prej 220 mijë eurosh.

Pjesë e grupit kanë qenë katër persona. Dy kanë shkuar me motor te makina e taksistit në ish-bllok, ndërsa dy të tjerë i kanë pritur me makinë te stadiumi Dinamo.

Pasi kanë kryer grabitjen, kanë shkuar te makina dhe kanë lënë motorin aty dhe janë larguar. Policia ka sekuestruar motorin, i cili rezulton se i është blerë një shtetasi rus nga gjeorgjianët.

Policia ka dyshime se pjese e grupit të gjeorgjianëve mund të jenë edhe persona të tjerë që kanë pasur informacion për transportimin e parave.

Njoftimi i policise

Finalizohet operacioni policor i koduar “Taxi”, nga Komisariati i Policisë Nr. 2 në bashkëpunim me Sektorin për Hetimin e Krimeve të Rënda.

Zbardhet dhe dokumentohet me prova ligjore vjedhja e një shume parash në një taksi në rrugën “Ibrahim Rugova”, më datë 04.10.2024.

Punohet për kapjen e 4 shtetasve gjeorgjianë, autorë të dyshuar.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 2 në bashkëpunim me Sektorin për Hetimin e Krimeve të Rënda, në vijim të punës për zbardhjen e ngjarjes së ndodhur më datë 04.10.2024, ku në zonën e ish-Bllokut, disa shtetas kanë vjedhur një shumë parash në një taksi, kanë organizuar punën për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë ligjor të ngjarjes e identifikimin e autorëve të dyshuar dhe kanë finalizuar operacionin policor të koduar “Taxi”.

Nga veprimet hetimore të kryera në kuadër të këtij operacioni, ka rezultuar se autorë të dyshuar të kësaj vjedhje janë shtetasit L. K., 30 vjeç, T. N., 36 vjeç, N. K., 30 vjeç, dhe Y. B., 31 vjeç, me shtetësi gjeorgjiane, për të cilët po punohet për kapjen dhe arrestimin e tyre.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua një motomjet, si dhe është shpallur në kërkim një automjet që dyshohet se është përdorur gjatë kryerjes së kësaj ngjarje.

Materialet i kaluan Prokurorisë.

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re