Aleks Soros, djali i Xhorxh Sorosit ndodhet në Tiranë dhe zhvilloi një takim me Presidentin e Republikës, Ilir Meta.

Në një njoftim të zëdhënësit të Metës thuhet se kreu i shtetit “priti në një takim me kërkesë të tyre Zëvendëspresidentin e Fondacionit “Shoqëria e Hapur”, z.Aleksandër Soros dhe Drejtorin Ekzekutiv të zyrës së Fondacionit në Shqipëri, z.Andi Dobrushi”.

“Presidenti Meta i njohu me shqetësimet e Tij, të bëra edhe publike, për përpjekjet e qeverisë për kapjen e institucioneve të drejtësisë, e sidomos të Gjykatës Kushtetuese, për përkeqësimin e lirisë së medias, si dhe për domosdoshmërinë e gjallërimit të shoqërisë civile në mbrojtje të vlerave demokratike dhe të drejtave të njeriut” – thuhet në njoftimin e Presidencës.

Pak kohë më parë Kreu i Shtetit ftoi në takim një përfaqësues të Fondacionit të Shoqërisë së Hapur SOROS. I pyetur për arsyet e kësaj ftese, Meta u shpreh se është një takim në kuadër të Reformës në Drejtësi dhe nuk ka asgjë të veçantë.

“Nuk një ftesë të veçantë por ideja është që të ketë një takim me ata që kontribuuan për reformën në drejtësi. S’ka arsye pse të përjashtojmë njeri. Unë jam president dhe ftoj të gjithë shoqërinë civile”, – tha Meta, i ftuar në “Open”.

Presidenti Ilir Meta është shprehur shumë herë kundër ndikimit të Soros në Shqipëri. Ai e ka sulmuar hapur filantropin George Soros, për të cilin është shprehur se ka investuar në Shqipëri para për ta kthyer vendin në një “Deep state”.

Në një koment publik Meta akuzonte zotin Soros, se qëndronte pas “një komploti të kurdisur prej kohësh për të ushqyer përplasjen civile më 30 qershor, si dhe për të ndikuar reformën në drejtësi”.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re