Këshilli Bashkiak i Tiranës ka marrë vendimin për shembjen e Teatrit Kombëtar. Në vendimin e Këshillit Bashkiak “Për miratimin e shembjes së godinës të Teatrit Kombëtar, pasuri në pronësi të bashkisë Tiranë, bazuar në akt-ekspertizën e hartuar nga Instituti i Ndërtimit “Mbi vlerësimin e godinës së teatrit Kombëtar” që mban datën 14 maj thuhet se me propozimin e Kryetarit të Bashkisë, Këshilli Bashkiak vendosi miratimin e shembjes së godinave të Teatrit Kombëtar.

Bashkia merr të gjitha masat për nisjen dhe ndjekjen e procedurës së ndërtimit të godinës bashkëkohore dhe me standarde të Teatrit Kombëtar. Dokumenti mban në fund firmën e kryetarit të Këshillit Bashkiak Toni Gogu.

Akt-ekspertimi i bërë në vitin 2018 nga Instituti i Ndërtimit vlerëson se kushtet aktuale të godinës së Teatrit Kombëtar nga ana statike nuk janë të përshtatshme për kryerjen e aktiviteteve dhe se janë jashtë normave të projektimit e shfrytëzimit të godinës.

Ekspertët sqarojnë se riparimi i objektit në 90 për qind të tij dhe sjellja e godinës në kushtet teknike të sotme përbën vështirësi dhe se kërkon një kosto shumë të madhe. Ata sugjerojnë shembjen e godinës, pasi sipas tyre është jashtë normave të projektimit, duke rrezikuar deri jetën dhe shëndetin e njerëzve.

Në vendimin me numër 50 të datës 14 maj 2020 bien në sy 10 pika, ku e para është prishja e godinës e pasuar me institucionet që kanë të drejtën e marrjes së masave dhe ndërhyrjen për shembjen.

Në pikën 5 të vendimit ngarkohet Drejtoria e Përgjithshme Juridike, Aseteve dhe Licensimit dhe Drejtorinë e Përgjithshme të Menaxhimit Financiar të marrin masat përkatëse për inventarizimin financiar.

Një kopje e vendimit, sipas pikës 9 të vendimit të Këshillit Bashkiak i dërgohet Policisë së Tiranës dhe Inspektoriatit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit. Pas ndërprerjes së negociatave me privatët, Bashkia do të marrë një kredi nën garancinë e qeverisë, për realizimin e projektit të ri.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re