Kolegji Zgjedhor ka zbardhur vendimin që u mor për të përsëritur zgjedhjet në bashkinë e Rrogozhinës, aty ku më 14 maj u shpall fitues kandidati i PS, Edison Memolla.

Vendimi i Kolegjit u mor pas ankimimit të bërë nga koalicioni “Bashkë Fitojmë”, kandidati i së cilës, Shkelqim Hoxha nuk e pranoi humbjen duke bërë akuza për manipulime votash.

Në këtë mënyrë, do të duhet që Presidenti i Republikës të shpallë datën e zgjedhjeve të reja në Rrogozhinë brenda 4 javësh.

Bashkia e Rrogozhinës u fitua nga kandidati socialist Edison Memolla me diferencë të vogël votash përballë rivalit të tij Shkëlqim Hoxha. Ky i fundit bëri akuza se rezultati u përmbys te kutia ku votonin të burgosurit e Rrogozhinës, duke pretenduar për parregullsi dhe manipulime.

                   NJOFTIM  PËR MEDIA

 Sot, më datë 15.06.2023, ora 15:00, trupi gjykues i Kolegjit Zgjedhor Gjyqësor, i përbërë nga gjyqtarët:

  1. Esmeralda Xhili (Relatore);
  2. Blerona Hasa (Anëtare);
  3. Emona Muҫi (Anëtare);
  4. Edlira Petri (Anëtare);
  5. Marsela Dervishi (Anëtare);

 në seancë gjyqësore të zhvilluar në ambientet e Gjykatës Administrative të Apelit, në adresën: Rr.“Ismail Qemali”, Tiranë, pasi shqyrtoi ҫështjen Nr.31 Regj.Themeltar, Datë 09.06.2023 Regjistrimi, me:

PADITËSA:               – Koalicioni “Bashkë Fitojmë”, përfaqësuar nga Av. Franci Nuri.

– Shkëlqim Hoxha, kandidat për kryetar bashkie Rrogozhinë, përfaqësuar                                       nga Av. Viktor Gumi.

I PADITUR:              Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, përfaqësuar nga Ina Osmanaj, Erdal                                            Mema dhe Blendi Kodra.

PERSON I INTERESUAR: Subjekti Zgjedhor “Partia Socialiste e Shqipërisë”, përfaqësuar nga                                                Eridian Salianji.

   OBJEKTI:                 – Ndryshimin e Vendimit nr.174, datë 06.06.2023 të Komisionit për            Ankimimet dhe Sanksionet (KAS) pranë Komisionit Qendror të             Zgjedhjeve.

– Miratimi i “Tabelës së re Përmbledhëse të rezultatit për kandidatët për     kryetar Bashkie Rrogozhinë”, duke mos përfshirë rezultatin zgjedhor të      qendrës së votimit nr.2224/01 Institucioni i Ekzekutimit të Vendimeve Penale (IEVP) Rrogozhinë.

– Shpalljen fitues për kryetar të Bashkisë Rrogozhinë z. Shkëlqim Hamid   Hoxha, propozuar nga subjekti zgjedhor “Bashkë Fitojmë”.

BAZA LIGJORE:     Neni 145, neni 152, neni 153, neni 155 dhe vijues të Kodit Zgjedhor.

Për dijeni, Komisioni i Ankimimeve dhe Sanksioneve (KAS), me Vendimin nr.174, datë 06.06.2023, objekt i kërkesëpadisë së mësipërme, ka vendosur:

“1. Pranimin e pjesshëm të kërkesës ankimore nr.80, datë 23.05.2023, të depozituar nga koalicioni “Bashkë Fitojmë”.

  1. Ndryshimin e vendimit nr.531, datë 18.05.2023 të Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve “Për miratimin e Tabelës Përmbledhëse të Rezultateve për zgjedhjen e Kryetarit të        Bashkisë Rrogozhinë, në zgjedhjet për organet e qeverisjes vendore të datës 14 Maj 2023”, sipas tabelës përmbledhëse të miratuar me vendimin e ndërmjetëm të KAS të datës         05.06.2023. Data: 06.06.2023 Nr: 174 Ora: 12:15 “Për shqyrtimin e kërkesës ankimore          nr.80, datë 23.05.2023 të depozituar nga koalicioni “Bashkë Fitojmë””.
  2. Rrëzimin e kërkesës për mospërfshirjen në Tabelën Përmbledhëse të Rezultateve për zgjedhjen e Kryetarit të Bashkisë Rrogozhinë, në zgjedhjet për organet e qeverisjes      vendore të datës 14 Maj 2023, të rezultatit të zgjedhjeve për Qendrën e Votimit nr. 2224/01, IEVP Rrogozhinë.

              Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe publikohet në faqen zyrtare të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.

              Bazuar në pikën 1 të nenit 145 të Kodit Zgjedhor, kundër këtij vendimi mund të bëhet        ankim në Kolegjin Zgjedhor Gjyqësor pranë Gjykatës Administrative të Apelit, brenda 5      ditëve nga shpallja e tij, sipas përcaktimit të pikës 2 të nenit 152 të Kodit Zgjedhor”

                     me Vendimin Nr. 28, datë 15.06.2023, Kolegji Zgjedhor Gjyqësor, me shumicë votash,

                                                        VENDOSI

  1. Pranimin pjesërisht të padisë.
  2. Shfuqizimin e vendimit Nr.174, datë 06.06.2023 të KAS.
  3. Shpalljen të pavlefshme të zgjedhjeve vendore të datës 14 maj 2023 në Zonën e Administrimit Zgjedhor Nr. 43, për kryetar të Bashkisë Rrogozhinë, duke urdhëruar përsëritjen e këtyre zgjedhjeve.
  4. Shpenzimet gjyqësore i ngarkohen palës së paditur.
  5. Ky vendim është i formës së prerë dhe ndaj tij nuk lejohet ankim.

U shpall në Tiranë më datë 15.06.2023.

      Tiranë, më 15.06.2023

Gjykata Administrative e Apelit Tiranë

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re