VOLTIZA DURO/ Duke nisur nga muaji korrik, pagat e pothuajse 20 mijë mjekëve dhe infermierëve do të rriten, duke bërë një hap tjetër drejt standardeve europiane.

Kështu deklaroi ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu gjatë ceremonisë së 30-vjetorit të Urdhrit të Mjekut. Gjatë fjalës së saj në këtë event, Koçiu vuri theksin tek puna për një sistem shëndetësor cilësor për të plotësuar kështu nevojat e pacientëve e për të ofruar shërbim optimal pranë qytetarëve.

“Nga korriku pagat e pothuajse 20 mijë mjekëve dhe infermierëve do të rriten, duke bërë një hap tjetër drejt standardeve europiane. Le të punojmë së bashku për një sistem shëndetësor më të fortë dhe më cilësor për të gjithë”, tha ministrja e Shëndetësisë.

Rritja e pagave për mjekët dhe infermierët synon jo vetëm rritjen e mëtejshme të cilësisë së shërbimit shëndetësor në Shqipëri, por stimulon brezin e ri për zgjedhjen e këtij profesioni si degë studimi në arsimin e lartë për t’i shërbyer vendit. Më tej kjo e fundit u shpreh krenare për trupën mjekësore, që sipas saj është gjithmonë e më profesionale dhe më e përgatitur.

“Krenarë për trupën tonë mjekësore gjithmonë e më profesionale dhe më të përgatitur. Të vendosur për të forcuar me tej marrëdhënien shtetmjek-qytetar”, u shpreh Koçiu.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale theksoi në fjalën e saj se qeveria dhe institucioni të cilin ajo drejton po krijojnë çdo ditë e më shumë mundësi të mira për mjekët në mënyrë që bluzat e bardha të vazhdojnë rrugëtimin profesional në Shqipëri.

“Qeveria shqiptare dhe MSHMS mbeten të përkushtuara për adresimin e sfidave dhe krijimin e mundësive më të mira për mjekët tanë, duke siguruar që ata të kenë mbështetjen dhe kushtet e nevojshme për të zhvilluar profesionin e tyre këtu në vendin tonë”, nënvizoi Koçiu.

Më herët ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, ka deklaruar se deri në vitin 2025, do të ndërtohen edhe 15 spitale dhe 60 qendra shëndetësore.

“Deri në 2027 të kemi 17 struktura spitalore autonome, do kenë mundësi të administrohen dhe të menaxhohen tërësisht vetë. Do hapim kantiere të reja, 20 spitale dhe 340 qendra shëndetësore është bilanci i tanishëm. Deri në vitin 2025, pra në fund të këtij mandati do të kemi edhe 15 spitale dhe 60 qendra shëndetësore. Do të rrisnim pagat, numrin e mjekëve”, theksoi ajo.

VENDIMI I QEVERISË

Reforma e ndërmarrë nga qeveria gjatë vitit 2023 për rritjen e pagave do të finalizohet deri në fund të 2024. Vendimi “Për miratimin e dokumentit të politikave prioritare 2025– 2027”, i botuar në Fletoren Zyrtare, përcakton nivelet e reja të pagave që synohet të arrihen deri në fund të vitit 2024 për punonjësit e administratës qendrore, të pushtetit vendor, mjekët, mësuesit dhe infermierët. Në vendim vlerësohet se në sektorin e shëndetësisë, pagat e mjekëve specialistë janë rritur ndjeshëm duke e çuar pagën mesatare bruto të mjekut deri në 174.000 lekë/muaj.

Në vitin 2024, fokusi i reformës në këtë sektor do të jenë pagat për mjekët e familjes dhe infermierët. Në vitin 2023, mjeku i përgjithshëm mori një rritje pagë në masën 7% ose në vlerë në masën 6.000 lekë/muaj dhe për vitin 2024 do të përfitojë një rritje në masën 20.000 lekë/ muaj.

Rritja kumulative e pagës mesatare të mjekut të përgjithshëm është 25% dhe shkon deri në 131.000 lekë/muaj. Në vitin 2023, infermierët dhe punonjësit e tjerë shëndetësorë morën një rritje pagë në masën 7% ose në vlerë në masën 3.600 lekë/muaj dhe për vitin 2024 do të përfitojë një rritje në masën 15.000 lekë/ muaj. Rritja kumulative e pagës mesatare të infermierit është 27% dhe shkon deri në 87.000 lekë/muaj.

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re