Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë ka vendosur të shpallë moskompetencë për gjykimin e ish ministrit të mbrojtjes Fatmir Mediu për dosjen e Gërdecit. Në vendimin e zbardhur nga ana e Gjykatës së Lartë të firmosur nga gjyqtarët Ilir Panda, Albana Boksi e Klodian Kurushi, theksohet se me ndryshimet ligjore të bëra me reformën në drejtësi çështja në ngarkim të ish-zyrtarit të lartë Fatmir Mediu duhet t’i kalojë Gjykatës së Posaçme Anti-Korrupsion.

Në vendim thuhet se në momentin që ka rënë pengesa për ushtrimin e ndjekjes penale ndaj subjektit Fatmir Mediu, SPAK nuk ka pasur pengesë që të ushtronte funksionin e tij konform ligjit, duke e kaluar ‘topin’ në dorën SPAK.

“Kolegji vëren se që prej momentit që ka rënë pengesa për ushtrimin e ndjekjes penale ndaj subjektit Fatmir Mediu, prokuroria nuk ka pasur ndonjë pengesë që të ushtronte funksionin e saj si përfaqësues i akuzës, konform ligjit, situatë procedurale kjo e transferuar si kompetencë te Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar”, thuhet në vendim.

“Referuar kuadrit ligjor të mësipërm, Kolegji vlerëson se Gjykata e Lartë nuk ka më juridiksion fillestar për të shqyrtuar akuzat penale ndaj funksionarëve të lartë shtetërorë, pasi që prej ndryshimeve të miratuara me ligjin nr. 76/2016 dhe nr. 35/2017 kompetencën për të shqyrtuar këto akuza penale e ka Gjykata për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar. Duke qenë se kompetencën lëndore për shqyrtimin e çështjes penale në themel e ka Gjykata për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, Kolegji vlerëson se kjo gjykatë ka kompetencën lëndore për t’u shprehur edhe në lidhje me kërkesën për revokim të vendimit të pushimit, e cila do të duhet të shqyrtohet nga gjyqtari i seancës paraprake pranë kësaj gjykate”, thuhet në vendim.

Kolegji thekson më tej se e gjen të pabazuar arsyetimin e paraqitur nga prokuroria se Gjykata e Lartë ka kompetencën lëndore të shprehet për kërkesën meqenëse vendimi i pushimit është dhënë prej kësaj gjykate.

“Kolegji vë në dukje se që nga dhënia e vendimit nr. 6, datë 14.09.2009, ka ndryshuar në mënyrë thelbësore kuadri kushtetues dhe ligjor duke bërë që Gjykata e Lartë të mos ketë më juridiksion fillestar për akuzat penale ndaj funksionarëve të lartë shtetërorë. Kompetencën në lidhje me shqyrtimin e akuzave penale ndaj këtyre subjekteve e ka Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, e cila do të duhet të shqyrtojë edhe kërkesën objekt gjykimi”, arsyeton kolegji penal.

Fatmir Mediu iu shpëtoi akuzave të prokurorisë, pasi në 2009 u rizgjodh deputet në Kuvendin e Shqipërisë dhe u rivesh me petkun e deputetit. Ai akuzohej për veprat penale “Shpërdorimi i detyrës” në bashkëpunim dhe “Shpërdorimi i detyrës” në bashkëpunim, me subjekt ushtarak-kuadër komandues. Nga shpërthimi i punishtes së demtimit të armëve, ngritur në ambientet e ish Brigadës së Tankeve, në fshatin Gërdec, Tiranë, humbën jetën 26 persona dhe u plagosën qindra të tjerë, ndërsa u shkaktuan dëme të mëdha materiale.

 

/faxweb

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re