Trualli i “Teatrit Kombëtar” është në pronësi të Bashkisë së Tiranës. Vendimi i Këshillit të Ministrave është botuar në Fletoren Zyrtare.
Ish-deputetja e PD-së, Jorida Tabaku reagoi në lidhje me këtë gjë dhe tha se në këtë mënyrë, qeveria i hap rrugë bashkisë për prishjen e Teatrit Kombëtar.
Siç thuhet në VKM, “kjo bëhet me qëllim ndërtimin e një godine bashkëkohore dhe me standarde të Teatrit Kombëtar, në konsultim me të gjitha grupet e interesit, sipas hartës kadastrale që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij”.
Tabaku tha se në mesin e pandemisë, kur shqiptarët janë futur fundjavës së radhës nën shtetrrethim, qeveria ka miratuar një VKM kriminale.
“Në të kryeministri Rama i kalon truallin e Teatrit Kombëtar as më shumë e as më pak se sa Veliajt. Praktikisht sot ai po e trajton pasurinë tonë kulturore si plaçkë lufte. Ne vendim thuhet qe do te ndertohet nje godine e re duke përjashtuar mundesine e rehabilititmit, verbëria prej hajduti e shtyn qeverinë dhe bashkinë të kalojnë në këtë fazë.
Kjo VKM e cila fsheh një projekt të ulët dhe kriminal, bie në kundërshtim edhe me vendimin e Europa Nostra. Tanimë kokëfortësia e qeverisë qendrore dhe lokale do të shembë me përdhunë çdo objekt historik dhe kulturor.
As një ditë pas një vjetorit të vendosjes së shkronjave në të, marifetçinjtë duan ta prishin. Por godina e Teatrit do të qendrojë pasi aty nuk është më vetëm shpirti i një Tirane që lëngon por edhe zemra e një proteste të gjatë dhe të drejtë.”, ishte reagimi i Tabakut.
