Policia ka zbardhur vjedhjen e ndodhur 5 ditë më parë në fshatin Gërman të Matit, ku në banesën e një 66 vjeçari u vodhën 170 000 lekë të rinj.

 

Uniformat blu, pas hetimeve kanë identifikuar autorin, ku rezultoi të jetë një i mitur 12 vjeç.

 

Pas marrjes në pyetje nga policia, në prani të psikologëve, prokurorit dhe prindërve, i mituri është lënë i lirë.

 

Mat/ zbardhet ngjarja e ndodhur 5 ditë më parë në fshatin Gërman

 

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Mat, në bashkëpunim me Prokurorinë e rrethit Mat, pas kallëzimit nga shtetasi Sh. B., 66 vjeç, banues në fshatin German, Burrel, për vjedhjen pa thyerje, të shumës 170 000 lekë të rinj, në banesën e tij, kanë kryer veprimet hetimore për zbardhjen e kësaj ngjarjeje.

 

Si rezultat i veprimeve hetimore është identifikuar dhe shoqëruar një shtetas i mitur 12 vjeç, si autor i dyshuar i vjedhjes së shumës së parave, në banesën e 66-vjeçarit, më datë 16.11.2022. 

 

Shtetasi i mitur, pas marrjes në pyetje në prani të psikologut, prindit dhe prokurorit, është lënë i lirë.

 

Strukturat hetimore të Komisariatit të Policisë Mat, në bashkëpunim me Prokurorinë, vijojnë punën për dokumentimin e plotë të këtij rasti dhe identifikimin e personave që e kanë nxitur 12-vjeçarin, për të kryer vjedhjen. 

 

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Mat, për veprime të mëtejshme.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re