Një mashkull i gjetur i ngrirë në një shpellë në Pensilvani, SHBA në vitin 1977 është identifikuar, duke i dhënë fund një misteri gati 50-vjeçar.
Ai është Nicholas Paul Grubb, një 27-vjeçar nga Fort Washington, i cili u gjet i ngrirë në një shpellë poshtë Pinnacle, një destinacion popullor përgjatë shtegut appalachian. Ky identifikim sjell lehtësim për familjen e tij, të cilët për 47 vite nuk dinin se çfarë i ndodhi njeriut të tyre, ndonëse shumë pyetje pa përgjigje kanë mbetur rreth ditëve të fundit të jetës së tij.
Gjithçka filloi më 16 janar 1977, kur dy alpinistë gjetën trupin e një mashkulli brenda një shpelle në Pinnacle, Pensilvania lindore, rreth 75 milje në veriperëndim të Filadelfias. Autoritetet që mbërritën në vendngjarje përcaktuan se ishte i moshës 25 deri në 35 vjeç, me sy blu dhe flokë kaçurrela të kuqe. Shkaku i vdekjes ishte mbidoza e drogës.
Mashkulli i panjohur, siç raporton New York Times, i cili nuk u identifikua nga askush, u varros në një varrezë të të vdekurve anonimë. Me kalimin e viteve, gjurmët origjinale të gishtave të marra në autopsi humbën dhe kopjet që ekzistonin ishin të cilësisë së dobët dhe nuk mund të përdoreshin për identifikim.
Identifikimi i njeriut si Nicholas Paul Grubb u bë i mundur pas një procesi shumëvjeçar, i cili përfshinte nxjerrjen e ADN-së dhe kërkimet e të dhënave të gjurmëve të gishtërinjve. Në vitin 2009, Zyra e Kërkuesit të Qarkut Berks filloi të punojë në rastin “Pinnacle man”. Pavarësisht përpjekjeve për të krahasuar gjurmët e gishtërinjve dhe të dhënat dentare me ato të personave të tjerë të zhdukur, nuk pati asnjë rezultat pozitiv.
Në vitin 2019, trupi i Grubb u zhvarros për nxjerrjen e ADN-së, por dy përpjekje për të analizuar mostrat ishin të pasuksesshme. Zbulimi i madh erdhi në gusht 2023, kur një efektiv i Policisë së Shtetit të Pensilvanisë, Ian Keck, gjeti gjurmët origjinale të gishtërinjve të vitit 1977, të cilat mendohej se kishin humbur. Këto gjurmë gishtash iu dërguan FBI-së, ku u analizuan dhe u identifikuan brenda 53 minutave, duke konfirmuar se i përkisnin Nicholas Paul Grubb.
Autoritetet gjetën një të afërm të Grubit, i cili konfirmoi identitetin e tij dhe siguroi dokumentet e nevojshme. Familja e tij tani planifikon të varrosë eshtrat e tij në një parcelë familjare.
Jeta e Nicholas Grubb u formësua nga shërbimi i tij në Gardën Kombëtare të Pensilvanisë në fillim të viteve 1970 dhe rezidenca e tij në Kolorado. Një incident me policinë në vitin 1975 kishte çuar në marrjen e shenjave të gishtave të tij, të cilat u futën në Sistemin e Automatizuar të Identifikimit të Gjurmëve të Gishtit.
Megjithëse identifikimi i Grubb zgjidhi një pjesë të misterit, shumë pyetje mbeten pa përgjigje në lidhje me rrethanat e vdekjes së tij. Grubb u zbulua se kishte veshur rroba të lehta dhe se kishte tentuar të ndezte zjarrin, por nuk ishte i pajisur për kushtet e pafavorshme të motit. Në vendngjarje nuk kishte ushqim apo pajisje kampingu, gjë që e lë të hapur mundësinë e asaj që ka ndodhur realisht.
Policia vijon hetimet për rastin, me shpresën për të hedhur dritë mbi orët e fundit të jetës së Grubb dhe për t’iu përgjigjur pikëpyetjeve që kanë mbeture ende pa përgjigje.